Ronaldinjo i jep derbin Milanit
Milani fiton derbin e Milanos vetëm me një gol të brazilianit Ronaldinjo dhe i shkakton Murinjos humbjen e parë sezonale. Mbrëmja e “San Siros” është e mbushur me emocione deri në minutat e fundit të saj, kur Adriano, në sekondat e fundit të kohës shtesë nuk arrin të çojë në rrjetë një top vetëm pak metra nga porta e mbrojtur nga Kristian Abiati. Nga ana tjetër, Interi është i detyruar ta mbyllë ndeshjen edhe me një lojtar më pak si rrjedhojë e përjashtimit pas dy kartonave të verdhe të mbrojtësit Nikolas Burdiso. Gjithsesi, argjentinasi nuk do të jetë i vetmi që do të lërë fushën, pasi edhe Marko Materaci, si rrjedhojë e protestave të ekzagjeruara në drejtim të gjyqtarit Morganti, është detyruar të lërë terrenin e lojës, ndonëse ndodhej në pankinë. Përveç disfatës në një ndeshje të luftuar ndërmjet dy skuadrave që urrehen me njëra-tjetrën, Interi duhet t’i thotë lamtumirë edhe kreut të klasifikimit, i cili tashmë zotërohet me meritë të plotë nga Lacio e Delio Rosit. Ndërkohë, nuk kanë sesi të mos gëzojë Karlo Ançeloti, trajneri i cili në mbrëmjen e djeshme është dëfryer, por mbi të gjitha duhet të falenderojë spektaklin e jashtëzakonshëm të ofruar nga tri braziliane, Kaka-Pato-Ronaldinjo. Me këtë sukses, kriza tashmë është harruar totalisht dhe Milani rikthehet menjëherë në garë si pretendentja kryesore për fitimin e këtij edicioni të Serisë A.