Berisha: Topi tentoi të ngrinte një grup bllokues brenda maxhorancës
Kryeministri Sali Berisha flet për herë të parë për një minorancë bllokuese që është tentuar të krijohet brenda gjirit të maxhorancës, por që, sipas tij, mori përgjigjen e merituar. Duke folur në emisionin "Opinion" të gazetarit Blendi Fevziu, përballë një paneli gazetarësh dhe studentësh, kreu i qeverisë teksa tha se ka marrëdhënie të mira me Presidentin, la të kuptohet se ishte pikërisht ky i fundit ai që tentoi krijimin e kësaj minorance. "Kam marrëdhënie fare korrekte me Presidentin Topi. Nuk injoroj faktin që ka pasur një qëndrim në rastin e zgjedhjes së gjykatësve. Tendenca për të krijuar një minorancë bllokuese në maxhorancë mori përgjigjen e merituar", theksoi Berisha. Por i pyetur konkretisht nëse ishte Topi ai që e inicioi krijimin e një pakice të tillë brenda shumicës në Kuvend, Berisha nuk dha një përgjigje direkte, por duke iu referuar votimit të dekreteve të kreut të shtetit për në Gjykatën e Lartë tha: "Ajo që ishte keqardhja ime në këtë rast për dy persona, ishte se dy persona për të cilët do të votoja me ndërgjegje të plotë nuk morën dot votën time. Do të doja të kisha pasur një eksperiencë më të shkurtër në politikë se kjo që kam, por kam një eksperiencë më të gjatë. Unë jam njeri që pranoj pa asnjë lloj zemërimi lojën politike dhe e mirëkuptoj". Duke folur për bashkëpunimin parlamentar mes PD-së dhe PS-së lidhur me reformat kryesore, kreu i qeverisë tha se nuk ka një marrëveshje të fshehtë mes tij dhe Edi Ramës për këto çështje. Madje, sipas Berishës, nuk ka as komunikim mes tyre. "Në mënyrë konstante në 15 vite kur kam qenë në opozitë, edhe kur isha në pushtet në momente të caktuara ka pasur marrëveshje. Gjithmonë është bërë fjalë për marrëveshjen e fshehtë Nano-Berisha apo tani Berisha-Rama, janë gjëra tërësisht irreale. Ekziston një përpjekje për reformat e domosdoshme. Nuk kam komunikim me Ramën drejtpërdrejtë, dhe po të kisha do thosha që kam". I pyetur se kë do të bëjë përgjegjës nëse humbet në zgjedhjet e vitit 2009, Kryeministri tha se të gjitha përgjegjësitë do t'ia japë vetes. "Humbjen do ia atribuoja një personi para së gjithash, i cili quhet Sali Berisha dhe në përputhje me këtë ekziston i gjithë integriteti i nevojshëm për të marrë vendimet më civile që duhen marrë në këtë rast. Por humbja ime është e largët", theksoi më tej kreu i qeverisë. Në të njëjtën kohë Berisha hodhi poshtë në mënyrë të prerë idenë e krijimit të një koalicioni të gjerë PD-PS vitin e ardhshëm. "Politika është arti i të mundshmes, por që të bëj koalicion me Ramën dhe me PS-në e përjashtoj tërësisht", theksoi Berisha. Gjithashtu kreu i maxhorancës foli edhe për largimin e Ndokës nga qeveria. "PDK-ja ka një problem legal. Unë pres zgjidhjen e problemit legal. Nuk është larguar për qëllime politike kryetari i partisë, ka shkelur marrëveshjet e bëra. Ka një problem legal, të zgjidhin problemin", theksoi Berisha.
Institucionet
Për Ndokën
PDK-ja ka një problem legal. Unë pres zgjidhjen e problemit legal. Nuk është larguar për qëllime politike kryetari i partisë, ka shkelur marrëveshjet e bëra. Ka një problem legal, të zgjidhin problemin.
Marrëdhëniet me Topin
Kam marrëdhënie fare korrekte me Presidentin Topi. Nuk injoroj fare faktin që ka pasur një qëndrim në rastin e zgjedhjes së gjykatësve. Tendenca për të krijuar një minorancë bllokuese në maxhorancë mori përgjigjen e merituar. Ajo që ishte keqardhja ime në këtë rast për dy persona, ishte se dy persona për të cilët do të votoja me ndërgjegje të plotë nuk morën dot votën time. Do të doja të kisha pasur një eksperiencë më të shkurtër në politikë se kjo që kam, por kam një eksperiencë më të gjatë. Unë jam njeri që pranoj pa asnjë lloj zemërimi lojën politike dhe e mirëkuptoj.
Për Ramën
Gjithmonë është bërë fjalë marrëveshja e fshehtë Nano-Berisha apo tani Berisha-Rama, janë gjëra tërësisht irreale. Ekziston një përpjekje për reformat e domosdoshme. Nuk kam komunikim me Ramën drejtpërdrejtë, dhe po të kisha do thosha që kam. Është kryetari i PS-së, kryetar i opozitës dhe në reformat kryesore s'mund të bëj reformë zgjedhore pa të, ai e di që s'bëhet pa mua.
Marrëveshja PD-PS
Politika është arti i të mundshmes, por që të bëj koalicion me Ramën dhe me PS-në e përjashtoj tërësisht. Pse e them këtë? Së pari, vendi ka nevojë për opozitë. Rama ka një kontratë me Bashkinë e Tiranës. Është pikërisht ajo kontratë që ka përçarë opozitën. Aty beteja në opozitë bëhet për kryeministrin. Së treti, një javë më parë i shkoi për vizitë, gjithë delegacionet që vijnë përpiqem që të shkojnë edhe në bashki, i lemeriti, i nxori breshkat nga arka.