Fondet e KE, Lange vlerëson qeverinë
Shefi i njësisë për Shqipërinë në drejtorinë e Zgjerimit të KE-së, Dirk Lange, vlerësoi dje qeverinë shqiptare për programimin e fondeve të dhëna nga Bashkimi Evropian. Gjatë një tryeze të përbashkët ku mori pjesë edhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, Lange vlerësoi punën paraprake të bërë nga ministria dhe qeveria shqiptare për programimin e IPA 2009. Duke nënvizuar disa nga elementët pozitive të programimit, Lange tha se, ky cikël programimi mbetet më i miri deri tani. Kjo sepse prioritetet e mbuluara nga projektet potenciale janë në përputhshmëri të plotë me prioritetet e vendosura nga BE për Shqipërinë. I rëndësishëm është fakti që ekziston një mirëkuptim i përgjithshëm mes BE-së dhe Shqipërisë për fushat, që do të financohen. Gjatë fjalës së tij, Lange theksoi se, Ministria e Integrimit dhe institucionet shqiptare duhet të vazhdojnë më tej punën e tyre të vlerësueshme në këtë drejtim. Sipas tij, duhet të punohet për përgatitjen e strukturave administrative që do të merren me programimin dhe menaxhimin e fondeve të IPA-s, kur Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, nëpërmjet të cilit përfiton nga të pestë komponentët e IPA-s. Fushat e përcaktuara si prioritare në programimin e IPA 2009 janë kriteri politik (mbështetje për strukturat e policisë, sistemin e drejtësisë, qendrat e paraburgimit, censusin e popullsisë dhe zhvillimin e shoqërisë civile), kriteri ekonomik (mbështetje për tregun e punës, trashëgiminë kulturore, sigurimet shoqërore dhe programet e sistemit arsimor) dhe pjesa e standardeve që ka të bëjë me infrastrukturën rrugore.