Zhvillimi i bregdetit të Jugut, qeveria gati planin e investimeve 325 milionë euro
07
Zhvillimi i bregdetit të Jugut, qeveria gati planin e investimeve 325 milionë euro
Investime në infrastrukturën rrugore, energji dhe mbetjet urbane
Rrugët dytësore të pikave të pushimeve financohen nga privati
Ervin Koçi
Qeveria ka vendosur të vërë në zbatim një plan shumë miliona eurosh për të zhvilluar infrastrukturën dhe për t’i hapur rrugën turizmit në zonën e bregdetit të Jugut të Shqipërisë. “Plani i zhvillimit të bregdetit të Jugut” mban emrin projekti i qeverisë, i cili ka nisur të vihet në zbatim pjesërisht që këtë vit. Plani synon të ngrejë infrastrukturën rrugore të këtyre zonave, të përmirësojë rrugët dytësore dhe rurale që lidhin qendrat me bregdetin, por edhe të rehabilitojë rrjetin e kanalizimeve dhe atë energjetik të mbarë Rivierës së Jugut të vendit. Ky plan parashikohet të kushtojë në total rreth 325 milionë euro, pjesa më e madhe e të cilave do të jenë fonde direkte të buxhetit të shtetit për vitin 2009 e në vazhdim. Këto kosto janë paraprake dhe të paraqitura në tabelë, si në fushën e investimeve në infrastrukturën rrugore, apo edhe në sistemin e mbetjeve të ngurta, apo të furnizimit me ujë të kësaj zone. Për një pjesë të mirë të investimeve paratë do të dalin nga arka e shtetit, ndërsa një pjesë janë financime të përbashkëta me donatorë të ndryshëm.
Akset kryesore
Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve është përgjegjëse për rrjetin rrugor të nivelit të lartë në të gjithë vendin dhe ka një numër të madh projektesh rrugore në proces ose në ndërtim. Mes tyre janë edhe: Levan-Tepelenë, Tepelenë-Gjirokastër, Sarandë-Krane-Konispol në kufirin me Greqinë, etj. Rrugët nacionale janë ndërtuar dhe projektuar për një shpejtësi të caktuar në km/h, me përjashtim të disa seksioneve ku terreni i vështirë kërkon projektim shpejtësie edhe më të ulët. Në procesin e projektit nuk është përfshirë përmirësimi i rrugës nëpërmjet Vlorës-Kotës-Kuçit-Borshit. Ekspertët theksojnë nevojën për të përmirësuar kapacitetin dhe standardin e rrugëve. Në këtë drejtim janë vendosur dy objektiva kryesore. E para, ka të bëjë me ruajtjen e “përvojës së udhëtimit me makinë” në rrugën bregdetare. E dyta, ka lidhje me krijimin e kapacitetit të mjaftueshëm transportues për qytetarët vendorë që të udhëtojnë për në punë, për ardhjen dhe largimin e turistëve, si dhe për udhëtime për të vizituar pika dhe vende interesante.
Sot distanca rrugore nga Tirana në Sarandë është rreth 250 km dhe udhëtimi aktualisht zgjat rreth 5-6 orë. Veç trafikut të rënduar që haset në kohën e pikut të pushuesve, një tjetër çështje problematike është kapaciteti i rrugëve ekzistuese, i cili është i ulët.
Rrugët dytësore
Sa i përket rrugëve rajonale (dytësore), projektimi i tyre nuk mund të realizohet pa u përcaktuar planet vendore të zhvillimit (planet rregulluese). Sipas planit, rrugët dytësore, të cilat i shërbejnë një politike të tillë, duhen financuar dhe ndërtuar nga autoritetet publike, ndërsa rrugët dytësore, të cilat i shërbejnë vetëm hoteleve dhe pikave të pushimeve të veçanta, duhen financuar nga investitorët privatë si pjesë e një pakete të plotë. Projektimi dhe ndërtimi i rrugëve dytësore duhet të jetë në përputhje me kriteret për të minimizuar ndikimin e tyre mjedisor.
Mbetjet e ngurta, problem për bregdetin e Jugut
Menaxhimi i mbetjeve të ngurta përgjatë bregdetit të Jugut aktualisht është shumë i dobët. Tani për tani, sipas studimit, nevojitet vetëm një pikë për mbetjet e ngurta dhe një stacion transferimi për mbetjet komunale. Volumet ekzistuese të mbetjeve të ngurta janë aktualisht shumë të vogla për të mbështetur ndërtimin e pikave të tjera shtesë për groposjen e mbeturinave. Pika e zgjedhur ndodhet në Bajkaj, afër Sarandës, është një pikë me një sipërfaqe prej 7 ha, ndërsa në Himarë do të ndërtohet një stacion transferimi. Dokumentet e projektimit dhe të ankandit do të plotësohen në gjysmën e dytë të vitit 2008 dhe ndërtimi do të realizohet në vitin 2009. Kostoja e vlerësuar për ndërtimin e vendit të groposjes së mbeturinave është 2.1 milionë dollarë. Projekti përfshin edhe pajisjet e grumbullimit të mbetjeve të ngurta të tilla si kamionët, kazanët e mbeturinave. Kostoja e vlerësuar në total për projektin, duke përfshirë gropën e mbeturinave, stacionin e transferimit dhe pajisjet, është 6.4 milionë dollarë ose 5 milionë euro.
Tabela 10.1: “Parashikime të buxhetit për projektet”
Nr. Projekti Kosto (Milion €) Burimi i Financimit
a) Furnizimi me ujë dhe kanalizimet
1. Projekti për furnizimin me ujë dhe pastrimin për fshatin 2,0 Qeveria
2. Përmirësimi i furnizimit me ujë dhe kanalizimet, Sarandë 0,3 Qeveria
3. Sarandë - kanalizimet e Hotel Butrintit 0,5 Qeveria
4. Përmirësimet e furnizimit me ujë në Himarë 0,4 Qeveria
5. Përmirësimet e kanalizimeve në Himarë 3,0 Qeveria
6. Impianti i përpunimit të ujërave të zeza në Himarë 1,0 Qeveria
b) Mbetjet e ngurta
7. Mbetjet e ngurta: vendi i groposjes, stacioni i transferimit, mjetet dhe pajisjet 5,0 Qeveria
8. Mbetjet e ngurta: mbyllja e vendeve informale të groposjes 0,3 Qeveria
c) Energjia
9 Linja të transmetimit 110 kV 25 Qeveria
d) Rrugët
10. Rruga bregdetare Himarë-Sarandë 60 Qeveria
11. Rruga Levan-Tepelenë 62 Qeveria
12. Rruga Tepelenë-Gjirokastër 24 Qeveria
13. Ura e Kardhiqit-Delvinë 23 Qeveria
14. Rruga Sarandë-Konispol 30 Qeveria greke
15. Rruga Sarandë-Butrint 8 Qeveria
16. Rruga Çukë-Dritas-Pllakë-Mursi 12 Qeveria
17. Rruga Vlorë-Kotë-Kuç-Borsh 60 Qeveria
e) Aeroportet dhe Portet (Qeveria ose PPP)
18. Aeroporti i Sarandës (Faza I – i brendshëm) 4 Qeveria
19. Projekti i portit të transportit dhe peshkimit, Sarandë (në vazhdim) Qeveria
20. Terminali i pasagjerëve në Sarandë (në vazhdim) Qeveria, PPP ose Privat
21. Moli i i Sarandës (I padisponueshëm) Qeveria, PPP ose Privat
22. Moli i Ksamilit (I padisponueshëm)
26 Tetor 2008