E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshoi pronësinë e tokës në bregdet, hetime për ish-kreun e ndarjes së tokave



DURRËS – Skandali me tokat në bregdet çon për ndjekje penale edhe një tjetër ish-zyrtar komune në rrethin e Durrësit. Kësaj radhe kanë nisur hetimet në gjendje të lirë për shtetasin Gegë Proja, ish-kryetar i Komisionit të Ndarjes së Tokave në fshatin Bizë të Komunës së Ishmit. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se 61-vjeçari Proja, lindur në Durrës dhe banues në fshatin Bizë të Ishmit, akuzohet për tjetërsim të pronës. “Procedimi penal ndaj tij filloi se nga hetimi i kryer nga strukturat e Krimit kundër Pronës rezultoi se në vitin 2002, gjatë kohës kur kryente detyrën e kryetarit të Komisionit të Ndarjes së Tokave, në fshatin Bizë të Komunës Ishëm, me anë të falsifikimit të dokumenteve dhe duke shpërdoruar detyrën, ka tjetërsuar një sipërfaqe toke në pronësi të Z.C., të cilën e ka kaluar në favor të K.B.”, - deklaroi policia. Sipas zëdhënëses së Policisë së Qarkut, Ornela Cako, janë kryer veprimet e para hetimore dhe materialet për veprën penale të vjedhjes duke shpërdoruar detyrën dhe falsifikimit të dokumenteve iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës. Gjatë këtij viti janë vënë nën hetim apo arrestuar me dhjetëra zyrtarë, drejtues dhe ish-drejtues të komunave, apo punonjës të zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në qytetin bregdetar. Në shënjestër të hetimeve kanë qenë trojet në komunat e Golemit, Rrashbullit, Sukthit dhe Ishmit.

Bursat ndërkombëtare, çmimi i naftës shkon në 62 USD/fuçia

Edhe pse vendimi i OPEC-ut doli për një ulje të prodhimit të naftës në rang botëror, çmimi i "arit të zi" në bursat ndërkombëtare preku nivelin më të ulët gjatë gjithë vitit 2008. Kështu, çmimi i naftës preku vlerën e 62.85 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta "Brent" e Detit të Veriut zbriti në 61 dollarë. Ndërkaq, liderët e vendeve anëtare të OPEC-ut, gjatë seancës së jashtëzakonshme të mbajtur dje në Vjenë për shkak të rënies së çmimeve të naftës, vendosën uljen e prodhimit në nivelin e 1.5 milionëve fuçi në ditë, duke nisur nga muaji nëntor. Vendet më të mëdha eksportuese të naftës janë të shqetësuara që çmimet e arit të zi dy herë radhazi lëvizin nga niveli i lartë rekord prej 147.27 dollarë për fuçi deri në nivelin më të ulët prej 62 dollarëve për fuçi. Pjesa më e madhe e anëtarëve të OPEC-ut për shkak të kësaj situate kërkuan zvogëlimin e prodhimtarisë së naftës.

26 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›