E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Unaza e madhe e Tiranës dhe rruga e Arbrit, prioriteti ynë për mandatin e dytë Kryeministri Berisha pret në takim drejtuesit e kompanisë STRABAG

Kryeministri Berisha priti sot një delegacion të kompanisë austriake STRABAG, të kryesuar nga Hans Peter Haselsteiner, kryetar i bordit dhe pronar i grupit. Haselsteiner i shprehu Kryeministrit përgëzimet për arritjet e gjithanshme të qeverisë shqiptare dhe për qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare. Ai tha që vizita e tij në Shqipëri kishte për qëllim t’i shprehte edhe një herë vendimin e kompanisë së tij për të filluar projekte investuese në Shqipëri. Bumi i infrastrukturës në Shqipëri, tha ai, e ka bërë kompaninë tonë pjesëtare të disa garave. “Ne do të vazhdojmë të insistojmë dhe të marrim pjesë në garat e tjera që do të zhvillohen për ndërtim rrugësh në Shqipëri, sepse e gjejmë këtë vend si më tërheqësin për shtrirjen e investimeve tona. Krahas pjesëmarrjes në gara për ndërtim të rrugëve publike”, tha zoti Haselsteiner. Sipas tij, kompania STRABAG është shumë e interesuar edhe për formën koncesionare të investimit në infrastrukturë. Kryeministri Berisha, pasi falënderoi kompaninë STRABAG për interesin dhe vendosmërinë, të treguar në këto 4 vitet e fundit, për të investuar në Shqipëri, shprehu dëshirën dhe besimin që në projektet e ardhshme që qeveria shqiptare po shpalos për të vazhduar ndërtimin intensiv të infrastrukturës rrugore në Shqipëri, do të ketë vend për kompani të fuqishme si STRABAG. Kryeministri Berisha prezantoi projektet kryesore, ku është fokusuar qeveria e tij në këtë 4 vjeçar të dytë dhe midis të tjerave, si projekte të rëndësishme rrugorë që mund të ndërtohen me koncesion theksoi unazën e madhe të Tiranës. “Për këtë projekt, qeveria shqiptare merr përsipër rrezikun e trafikut. Një tjetër projekt i rëndësishëm, një segment i të cilit mund të ndërtohet nëpërmjet koncesionit, edhe rrugën e Arbrit. Kjo është një rrugë rajonale, prandaj ndërtimi i shpejtë i saj është prioritet i qeverisë, sepse ajo shkurton distancat jo vetëm brenda vendit, por edhe ato rajonale. Një tjetër projekt rrugor që qeveria e ka si prioritet është edhe segmenti Rrogozhinë-Thumanë”, sqaroi Berisha prioritet e qeverisë në fushën e infrastrukturës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›