E Diel, 1 Nëntor 2026

Chountis garanton Berishën: PE mbështetje qeverisë shqiptare për heqjen e vizave Nikolaos Chountis

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha priti sot në një takim raportuesin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë eurodeputetin, Nikolaos Chountis. Kreu i ekzekutivit e njohu raportuesin mbi ecurinë e reformave dhe arritjeve të qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe, në veçanti në kuadër të projekteve madhore për anëtarësimin në BE dhe liberalizimin e vizave. Raportuesi Chountis e falënderoi Kryeministrin Berisha përzemërsisht për pritjen e ngrohtë dhe i shprehu atij vlerësimin për punën e jashtëzakonshme të bërë gjatë kësaj periudhe dhe për plotësimin e kërkesave të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, si edhe hartimin edhe miratimin e përgjigjeve për pyetësorin e Komisionit Evropian. Chountis i shprehu kreut të Qeverisë mbështetjen e plotë të tij dhe të Parlamentit Evropian për të dyja këto projekte prioritare, duke vlerësuar se anëtarësimi sa më i shpejtë i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, do të përbëjë një hap të ri në forcimin e stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit jo vetëm të qytetarëve shqiptarë, por edhe në mbarë rajonin. Raporteri i PE vlerësoi përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit nga qeveria shqiptare dhe rezultatet e arritura në të gjitha aspektet e këtij procesi, të cilat ai i evidentoi edhe gjatë kësaj vizite në vendin tonë. “Ne dëshirojmë dhe besojmë fuqishëm që qytetarët shqiptarë të gëzojnë sa më parë të drejtën e qarkullimit pa viza në zonën Shengen, si çdo qytetar tjetër evropian”, përfundoi Chountis duke e garantuar kryeministrin Berisha se Parlamenti Evropian, do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm qeverinë shqiptare për realizimin sa më parë të projektit për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë në hapësirat evropiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›