Ziercke-Berishës: I impresionuar me standardet e larta të prodhimit të dokumenteve të identitetit Kryeministri Sali Berisha gjatë takimit me Presidentin e Policisë Federale Kriminale të Gjermanisë

Kryeministri Berisha priti sot në një takim presidentin e Policisë Federale Kriminale të Gjermanisë zotin Jorg Ziercke dhe delegacionin që e shoqëronte. Kryeministri Berisha duke i uruar mirëseardhjen zotit Ziercke, i shprehu falënderimet dhe mirënjohjen që ndihmën shumë të vyer që policia gjermane i ka dhënë policisë shqiptare dhe agjencive të mbrojtjes së ligjit në konsolidimin e shtetit ligjor dhe në luftën me tolerancë zero kundër krimit të organizuar. Gjithashtu ai shfrytëzoi rastin për të shprehur mirënjohjen e thellë dhe për mbështetjen bujare që në tërë vitet e demokracisë, Gjermania i ka dhënë Shqipërisë, në të gjitha fushat. Kreu i ekzekutivit u shpreh se qeveria shqiptare po punon me vendosmërinë në kuadër të përmbushjes së kritereve dhe standardeve të kërkuara për liberalizimin e vizave, duke arritur standarde të vendeve më të zhvilluara në fushën e sigurisë së kufijve dhe të sigurisë së dokumenteve të identitetit, është bërë i mundur funksionimi i një sistemi modern të kontrollit kufitar, të lidhur me regjistrin e gjendje civile, me sistemin e analizës së informacionit kriminal, si dhe të lidhur në kohë reale me të bazën e të dhënave të Interpolit. Presidenti i Policisë Federale Kriminale të Gjermanisë zoti Jorg Ziercke e falënderoi kryeministrin Berisha për mikëpritjen dhe u shpreh se gjatë kësaj vizite në Shqipëri kishte mbetur jashtëzakonisht i impresionuar dhe me përshtypjet më të mira nga standardet teknike dhe profesionaliteti i policisë shqiptare, duke nënvizuar se në këtë drejtim Shqipëria është një vend në rrugë shumë të mbarë. “Unë jam shumë i impresionuar si me standardet shumë të larta të prodhimit të dokumenteve të identitetit ashtu edhe me standardet e larta të sigurisë së tyre” tha Ziercke.