Berisha: Unë çmontova murin e korrupsionit dhe krimit të organizuar
Kryeministri, Sali Berisha, duke folur në një seancë të Kongresit të Partive Popullore Evropiane, në Varshavë të Polonisë, tha se ai ka çmontuar murin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Berisha tha se asnjë qeveri e majtë nuk është gëzuar për rënien e Murit të Berlinit.
“Një mirënjohje e thellë, falënderim i përzemërt, është për të gjitha partitë popullore dhe njerëzit, të cilët në besimin tim më të thellë ishin promotorët e vërtetë të rënies së Murit të Berlinit. Nuk njoh asnjë qeveri të majtë të asaj kohe që ishte e lumtur me rënien e atij muri, e kundërta është e vërtetë. Por gjithashtu, falënderimi është për ju, për të gjithë miqtë këtu për ndihmën e madhe që i keni dhënë vendit dhe kombit tim në udhëtimin e tij të lirisë, demokracisë dhe integrimit.
Kjo ishte e mundshme për shkak të ndihmës, mbështetjes, asistencës tuaj. Katër vite më parë, unë ri-erdha në pushtet. Kombi im po përballej me disa mure shumë të vështira që qëndronin para tij, mure të cilat pothuajse po i mbyllnin dyert projektit të tij ëndërr, muri i krimit të organizuar, muri i korrupsionit.
U zotova para qytetarëve të mi se do ta luftoj me tolerancë zero krimin e organizuar dhe do ta çmontoj atë mur dhe kështu bëra. Në 16 muaj ne çmontuam 206 grupe kriminale dhe arrestuam mbi 1000 anëtarë dhe bosë të këtyre organizatave dhe sot vendi im ka treguesit e kriminalitetit më të ulët se mesatarja juaj. Vitin e kaluar, Shqipëria u vizitua nga 2.7 milionë turistë të huaj nga vendet tuaja në siguri të plotë. Shqipëria është një vend i sigurt”, - tha Berisha.
“Muri i dytë ishte korrupsioni, u zotova para qytetarëve të mi se do ta luftoj korrupsionin me zero tolerancë. Shqipëria, që ishte në 24 vendet më të korruptuara, vitin e kaluar la mbrapa 95 vende dhe është duke u përmirësuar. Ne nxorëm administratën publike jashtë konfliktit të interesit, nxorëm një ligj për të mbrojtur informatorët kundër korrupsionit, njëlloj si dëshmitarët e krimeve të rënda dhe i shpërblejmë ata me 6% të vlerës që sjellin. Ne realizuam prokurimet elektronike, taksat elektronike, doganat elektronike”, - vijoi më tej kryeministri.
Berisha ka premtuar se do bëjë zgjedhje të lira, dhe ka deklaruar se do i fitojë këto zgjedhje.
“Ne po shkojmë drejt zgjedhjeve në qershor dhe unë bëj këtu një premtim solemn për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe do ta mbaj këtë premtim, me gjithë përkushtimin tim. Dhe ju ftoj ju, partive të PPE, të dërgoni vëzhgues, sepse shqiptarët kanë nevojë të domosdoshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme për të lënë mbrapa grindjet për zgjedhjet.
Por gjithashtu, ndonëse jam i vendosur për të pranuar dhe respektuar çdo verdikt të kombit tim, kam kënaqësinë t’ju informoj se ne do t’i fitojmë këto zgjedhje, sepse shqiptarët janë njerëz të mençur, ata e dinë se, të votosh majtas, do të thotë të votosh për mure dhe ata nuk do të votojnë për mure, do të votojnë për horizonte, për horizonte që shndërrohen në realitet, horizonte që me ndihmën tuaj do të shndërrohen në realitet përsëri”, - tha Berisha.