E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Vendimi i Kolegjit Zgjedhor, legjitim

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha reagoi dje për herë të parë para deputetëve demokratë, lidhur me vendimin e Kolegjit Zgjedhor, që rrëzonte kërkesë-padinë e bërë nga Partia Socialiste, për shpalljen e pavlefshmërisë së vendimit të datës 23 maj, të marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. “Vendimi u gjet legjitim dhe nuk mund të ishte tjetër, jo pse e them unë këtë, por nuk ka asgjë më legjitime sesa në kohën e duhur, të numërosh votat e qytetarëve të tu. Ka një filozofi të lirisë. Filozofia e lirisë dikton numërimin e çdo vote, ku qëllimi është i shprehur qartë. Ka një filozofi tjetër që mund të mohosh një, qindra e mijëra vota, vetëm për të marrë karrigen, por kjo nuk funksionon në një shoqëri të lirë, në një vend të lirë, ndaj dhe unë pres natyrisht certifikimin përfundimtar nga institucionet e pavarura kushtetuese të vendit...”, - tha dje Berisha. Kryeministri ka premtuar gjithashtu bashkëpunim me qeveritarët vendorë. “Qeveritë vendore janë kryekëput të kushtëzuara në projektin e tyre dhe ky kushtëzim vjen nga ëndrra e shqiptarëve për një Shqipëri të zhvilluar, për një Shqipëri të zhvilluar aty ku jetojnë qytetarët e këtij vendi. Ky është më shumë se obligim, ky është një mision, një mision i një rëndësie të jashtëzakonshme. Keni bërë gjëra të jashtëzakonshme, do të shprehte miku im i shquar Viktor Orban, vërtet janë bërë, por ka shumë të tjera për të bërë dhe kjo është një e vërtetë e madhe, sepse një pjesë jo e vogël e Shqipërisë dhe ndoshta pjesa më e gjerë e saj si gjeografi. Erdhi gjer në dekadën e fundit me një gërshetim të elementëve të kohës moderne, por edhe të mesjetës së thellë, po të kemi parasysh infrastrukturën e saj të gjithanshme, komunikimi etj”, - tha ai. Për këtë arsye, Berisha shtoi se bashkëpunimi me vendorët do të jetë i frytshëm. “Ndaj dhe pres me shumë padurim që sëbashku me qeveritarët e zgjedhur vendorë, t’i shndërrojnë këto vite, në vitet e bashkëpunimit më të frytshëm, në një qëllim në një interes, të zhvillojmë çdo qoshe të këtij vendi, çdo fshat, çdo qytezë, të bëjmë gjithçka që Shqipëria të bëhet një vend i zhvilluar. Potencialet i ka të jashtëzakonshme. Prapë më duhet të them, për fat të keq, këtë vend e njohin jo sa duhet banorët e saj. Këtë vend nuk e njohin realisht shqiptarët, duke mos e njohur nuk kanë parasysh potencialet e jashtëzakonshme që ka në vetvete”, tha ai. Berisha u ndal dje edhe tek ligji për faljen, duke ftuar biznesin që të përfitojë nga ky dokument. “Paraja e fjetur është një para e sëmurë, e pasigurtë, ndaj dhe ftoj qytetarët që në përputhje me ligjin të shfrytëzojë të gjitha hapësirat e tij, për të mos mbajtur asgjë si para të fjetur. Ftoj biznesmenët, falja është falje dhe nuk ka asnjë koment për të dhe siç e keni parë, ajo është bërë e plotë pa asnjë paragjykim, pa asnjë zemërthyerje, ndaj dhe kërkesa e qeverisë është që t’i përgjigjet ligjit, po me kaq përgjegjësi, po me kaq gatishmëri. Të mbyllim një kapitull se me këtë ligj ne synojmë të mbyllim një kapitull dhe normale është, fare normale, kemi bërë shumë mirë”

N.P

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›