Maqedoni, Gruevski dhe Ali Ahmeti fitojnë zgjedhjet
VMRO-DPMNE në bllokun politik maqedonas dhe Bashkimi Demokratik për Integrim në bllokun politik shqiptar janë partitë fituese të zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni.
Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, partia e kryeministrit Nikolla Gruevski ka fituar gjithsej 437 665 vota ose 39 për qind të tyre, çfarë nënkupton 53 deputetë plus 3 nga diaspora - gjithsej 56 mandate deputetësh. Pas saj radhitet opozita maqedonase, Lidhja Socialdemokrate, e cila ka fituar 367 876 vota ose 32.78 për qind të tyre, që përkthyer në mandate nënkupton 42 deputetë. Në kampin politik shqiptar, Bashkimi Demokratik për Integrim ka fituar 114 870 vota ose 10,24 për qind, çfarë nënkupton 15 mandate deputetësh; Partia Demokratike Shqiptare ka fituar 66 055 vota ose 5,89 për qind, që nënkupton 8 mandate deputetësh, dhe Rilindja Demokratike Kombëtare ka fituar 29 981 vota ose 2,67 për qind, çfarë do të thotë 2 deputetë. Liderët e partive opozitare, menjëherë pas shpalljes së rezultateve preliminare, kanë uruar fitoren e kundërshtarëve politikë, duke u zotuar se interesat e qytetarëve do t’i mbrojnë duke vepruar si opozitë e fuqishme. Kryetari i LSDM-së, Branko Cërvenkovski, duke uruar VMRO-DPMNE-në për fitoren në këto zgjedhje, tha se është i kënaqur nga rezultati, pasi partia e tij ka dyfishuar numrin e deputetëve. Kjo, siç u shpreh Cërvenkovski, e bën jokomod kolltukun e Kryeministrit me një opozitë të fuqishme. "Beteja do të vazhdojë. Nëse keni parë se çfarë mund të bëjmë me 18 deputetë, mund të paramendoni se çfarë do të bëjmë me 43 deputetë", deklaroi Cërvenkovski, duke shtuar se LSDM-ja nuk do të ndalet. “Koha e kësaj partie po vjen”, tha Cërvenkovski. Edhe kandidatja e nominuar për Kryeministre, në rast të fitores së opozitës, Radmilla Sheqerinska, tha se skena politike në Maqedoni ka pësuar ndryshime dhe se pushteti nuk mund të sillet sikur Zot, siç bëri deri tani. Ndërkaq, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, nga Tetova uroi oponentin e tij politik, Ali Ahmetin. “E uroj sinqerisht Ahmetin për fitoren e partisë së tij. Bashkë me partnerin e koalicionit, u takon ta formojnë Qeverinë e Apokalipsit për këtë shtet”, tha Thaçi, duke nënvizuar se kjo fitore është arritur me shumë parregullsi në disa vendbanime, si: Zajaz, Osllomej dhe zona të tjera. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se fitorja u takon të gjithë shqiptarëve, sepse, sipas tij, ata dëshmuan se dinë të votojnë sipas standardeve të vendeve më demokratike të Bashkimit Europian. Për kryeministrin Nikolla Gruevski, fitorja e VMRO-DPMNE-së është fitore e dyfishtë, ngase në kushte të krizës ekonomike dhe bllokimit permanent të fqinjit jugor gjatë procesit të integrimit, u dëshmua se qytetarët i besojnë politikës së saj. Nga partitë më të vogla maqedonase, asnjëra nuk ka siguruar vende në Parlamentin e Maqedonisë, ndërsa në kampin politik shqiptar vetëm Rilindja Demokratike Kombëtare e Rufi Osmanit, e cila për herë të parë garon në këto zgjedhje, ka arritur të fitojë dy deputetë.