Padia e fundit në kolegj, PS: Nuk jemi optimist
Partia Socialiste ka dorëzuar dje pasdite në Kolegjin Zgjedhor kërkesën e saj të fundit, me objekt goditjen e rezultatit të zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, ose thënë ndryshe të vendimeve 710 dhe 711 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Megjithëse deri dje në mbrëmje, selia rozë nuk ka dashur ta bëjë publike kërkesën e saj drejtuar Kolegjit, duket se ky është një hap i dëshpëruar i socialistëve, të cilët nuk kanë më shpresë në fitimin e betejës ligjore për kreun e Bashkisë Tiranës. Një mungesë besimi kjo, që nuk ngurohet të shprehet hapur dhe nga një prej hartuesve të kësaj kërkese, deputeti Damian Gjiknuri, i cili dje është shprehur shpresëpak përsa i përket suksesit të ballafaqimit ligjor në Kolegjin Zgjedhor.
Padia
Ashtu siç edhe pritej kërkesë padia e re e Partisë Socialiste e depozituar dje në Kolegjin Zgjedhor ka si objekt të saj vetëm goditjen e vendimit të KQZ, me anë të cilit u rrëzuan pretendimet e socialistëve për vendimet 710 dhe 711. Më konkretisht nuk bëhet fjalë as më shumë dhe as më pak, por për bashkimin e dy kërkesë –ankesave që PS paraqiti para një jave edhe në KQZ dhe nëpërmjet të cilave goditej vendimi 710 i këtij komisioni, që kishte të bënte me miratimin e tabelës së rezultateve të njësisë bashkiake numër 5 dhe vendimin 711, me anë të cilit u miratua tabela përmbledhëse e rezultatit të Bashkisë Tiranë, me anë të së cilit kandidati demokrat Lulëzim Basha u shpall fitues. Në mënyrë më të detajuar, PS kundërshton vendimit nr.710, datë 23/05/2011 të KQZ “Për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit të votimit për Kryetar të Zonës së Administrimit Zgjedhor Nr.49, Qarku Tiranë dhe ndryshimin e këtij vendimi, sipas të dhënave të ardhura nga KZAZ Nr.49, në bazë të tabelave të rezultateve të hartuara nga GNV-të. E njëjta gjë vlen edhe për vendimin 711, pasi PS kundërshton nxjerrjen e rezultatit të votimit për Kryetar për Zonën Zgjedhore Bashkia Tiranë dhe pavlefshmëri të vendimeve të marra nga KQZ, për ndryshimin e tabelave të rezultateve të QV-ve të ZAZ-ve të Zonës Zgjedhore Bashkia Tiranë. Ndryshimin e Vendimit nr.711, datë 23/05/2011 të KQZ “Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për Kryetar për Zonën Zgjedhore Bashkia Tiranë”, duke u nxjerrë e miratuar tabela përmbledhëse e rezultatit për Zonën Zgjedhore Bashkia Tiranë, në bazë të tabelave të rezultateve të miratuara nga KZAZ-të dhe ato të QV të transmetuara në bazën e të dhënave të KQZ nga VNV-të dhe duke u shpallur fitues z. Edi Kristaq Rama, propozuar nga Koalicioni Aleanca për të Ardhmen”. Burime nga PS kanë bërë të ditur se në kërkesë-padinë e re janë përfshirë dhe pretendimet për mosrakordimin e shifrave mes numrit të votuesve dhe votave të gjetura në kuti, por pa i evidentuar ato në objektin e këtij dokumenti.
Gjiknuri
Por vendimi i së premtes së shkuar të Kolegjit ka zbehur shpresat e socialistëve për një kthesë në betejën ligjore për Bashkinë e Tiranës. Kjo për të vetmen arsye sepse me këtë vendim ka rënë baza e çdo pretendimi, lidhur me votat e gjetura në kutitë e gabuara dhe që nxorën Bashën fitues. Një nga hartuesit e kësaj padie, Damian Gjiknuri, duke folur dje për radio “DW” ka shprehur mungesë besimi se padia e re mund të ndryshojë tani fatin e betejës ligjore për Bashkinë e Tiranës. “Nuk jam shumë optimist për mënyrën sesi shkuan gjërat në Kolegjin Zgjedhor. Ne kërkuam ekspertizë ndërkombëtare, të Komisionit të Venecias, por kjo nuk u pranua nga PD. Pse? Kjo na bën të mendojmë se ka një përpjekje të PD për të mos pranuar asnjë lloj konsulence ndërkombëtare në këtë drejtim, pasi ekspertët ndërkombëtarë do të konstatonin shkelje të rënda ligjore”, tha Gjiknuri.