E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhja e vendimit, Rama: Gjykatësit shkelën ligjin

TIRANË- Në kushtet kur Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e ka akuzuar për vjedhje mandatesh e kur vendimin e fundit të Kolegjit Zgjedhor e cilëson të papranueshëm, kryetari i PS-së, Edi Rama, i është drejtuar sërish dje ndërkombëtarëve: “Përsërisim sot apelin për komunitetin ndërkombëtar që të ndërhyjë urgjentisht, duke kërkuar një ekspertizë të pavarur për një çështje kaq thelbësore, e cila po nuk i gjykua në respekt të Kushtetutës, ligjit dhe vullnetit të zgjedhësve, do të kthehet në një minë me sahat për ekuilibrat e brishtë politikë, socialë e ekonomikë të vendit”. Kryetari i opozitës ka kundërshtuar shkeljen e afateve, që, sipas tij, Kolegji Zgjedhor ka ndërmarrë për zbardhjen e vendimit të së premtes së kaluar. “Kur afati treditor i dhënies së arsyetimit të një vendimi gjyqësor ka skaduar, Kolegji Zgjedhor ende nuk ka dhënë asgjë të shkruar, siç e detyron ligji, asnjë arsye, për vendimin e turpshëm të tri ditëve më parë. Askush nuk e di arsyen pse Kolegji ka legjitimuar veprimet e paligjshme të Komisionit Qendror të Vjedhjeve dhe trupi gjykues nuk ka marrë mundimin të shpjegohet për vendimin e dhënë, paçka se ligji e detyron të shprehet brenda tri ditëve e pa çarë kokën hiç fare për faktin se kjo është një çështje që i intereson mbarë opinionit publik, ashtu si edhe miqve e partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë. Pra sot, tri ditë pas atij vendimi që i ra ndesh Kushtetutës, ligjit, opinionit të qartë të shprehur në raportin e ODHIR-it dhe vetë praktikës zgjedhore në Shqipëri, ne ndeshemi me një shkelje të re të ligjit nga vetë gjykatësit e thirrur të bëjnë drejtësi në emër të ligjit. E ndërkohë Saliu vijoi sot të flasë broçkulla që tregojnë qartë, hapur, açik, se është ai që e orkestron gjithë këtë maskaradë, me një KQZ në shkelje të ligjit e një kolegj që ligjëron shkeljen e KQZ-së”, tha dje Rama. Por pavarësisht akuzave, Kryetari i PS-së sqaroi se opozita depozitoi një tjetër padi pranë Kolegjit. “Ne sot depozituam padinë tjetër, duke kërkuar të drejtën, e vetëm të drejtën, dhe do të vazhdojmë të përpiqemi për ta gjetur këtë të drejtë në rrugën ligjore deri në sekondën e fundit, por askush nuk duhet të mendojë se shkelja e kësaj të drejte deri në fund në rrugën ligjore, mund ta mbyllë këtë histori grabitjesh të paturpshme, si çudinë e radhës që harrohet pas tri ditësh. Saliu e kërkon me çdo kusht e mjet Tiranën, që asnjëherë nuk e ka fituar dot me vota, por është e sigurt se fitorja e vjedhur s’është asgjë tjetër veçse gropa që ai po i hap pushtetit të tij pa din e as iman”, tha Rama.

N.P

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›