Shqiptarët, pa viza në Bashkimin Evropian
Zyrtarisht, komisionerja e BE për çështjet e brendshme, Cecilia Malstromm ka deklaruar dje në mesditë se Komisioni Evropian kishte miratuar rekomandimin e kolegjit të komisionerëve, për heqjen e regjimit të vizave për shqiptarët që duan të lëvizin në vendet e zonës Shengen. Kënaqësi dhe emocion tek shqiptarët e të gjitha trojeve, që ndjejnë se për ta po përfundojnë kohët e izolimit
Shqipëria përfiton liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Evropian. Vendimi i miratuar dje nga Komisioni Evropian pritet të shqyrtohet nga Këshilli i Ministrave të BE, për t’u miratuar më pas në Parlamentin Evropian, çka do të thotë hyrja në fuqi e vendimit, procedurë kjo e cila pritet të finalizohet brenda muajit tetor të këtij viti. Eurokomisionerja Sesilja Malmstrom deklaroi dje përmes një konference për shtyp në mesditë se Komisioni Evropian ka miratuar rekomandimin për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë. “Jam e lumtur t’ju informoj se KE miratoi rekomandimin për liberalizimin e vizave për qytetarët në Shqipëri dhe Bosnje Hercegovinë. Propozimi i sotëm është rezultat i një pune të vështirë dhe intensive për autoritete dhe popujt e këtyre vendeve në arritjen e kritereve. Jam e sigurt se të dy vendet, duke u bazuar në rezultatet e mira që tashmë kanë paraqitur, do të jenë në gjendje të plotësojnë dhe kriteret e mbetura në kohën e duhur që të lejojnë më pas Parlamentin Europian dhe Këshillimin e Ministrave të BE-së të japin dritën jeshile për këtë propozim, sa më shpejt të jetë e mundur. KE ka monitoruar me kujdes. është bërë shumë punë nga autoritetet shqiptare, megjithatë ka ende disa kritere për tu plotësuar”- u shpreh komisionerja evropiane, Malmstrom. Ajo cilësoi si të një rëndësie të veçantë tre kushtet që kanë të bëjnë me strategjinë e riintegrimit te të riatdhesuarve, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe zbatimit me efikasitet të ligjit të ri antimafia për konfiskimin e aseteve kriminale. Komisionerja nenvizoi se KE do të vazhdojë të monitorojë si dhe të raportojë më pas në PE dhe në Këshillin Europian mbi punën e bërë. “Pavarësisht rezultateve të mira, të dy vendet kanë ende për të bërë progres në disa fusha, ku janë identifikuar mangësitë. Komisioni Europian do vazhdojë të monitorojë përpjekjet për të çështjet e përcaktuara dhe do të raportojë në Parlamentin Europian dhe në Këshill. Monitorimi do të zhvillohet në verë me qëllim që të lejojë Këshillin e Europës dhe Parlamentin Europian të marrë një vendim përfundimtar në vjeshtë”- deklaroi Sesilja Malmstrom. Malmstrom theksoi se në bazë të punës së autoriteteve shqiptare, Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Bashkimit Evropian, do të miratojnë një datë për hyrjen në fuqi, të rekomandimit për liberalizimin e vizave. “Shumë është bërë, ka shumë pak për të bërë dhe besoj se autoritetet do të punojnë brenda verës. I takon Parlamentit Europian dhe Këshillit të Bashkimit Europian për të marrë një vendim mbi propozimin e KE- së. Nuk është në dorën time të jap një datë përfundimtare, KE dhe BE po i ofron një mundësi. Nëse kriteret do të plotësohen në verë, menjëherë pas kësaj ndodh dhe liberalizimi. Nëse kushtet plotësohen më vonë do të thotë që liberalizimi do të jetë më vonë”- tha komisionerja europiane. Në konferencë për shtyp u prek dhe frika e shtimit të një fluksi qytetarësh nga këto dy vende drejt Europës perëndimore për të kërkuar azil. Malmstrom tha se një grup nga Stokholmi kanë shkuar në Tiranë dhe në Sarajevë për të shpjeguar se çfarë do të thotë liberalizimi i vizave dhe se “me shqiptarët kemi shumë për të diskutuar”. Komisionerja europiane ishte në dijeni të reklamës sensibilizuese që qeveria shqiptare ka nxjerrë për të ndërgjegjësuar qytetarët mbi të drejtat dhe kushtet që përfitojnë pas heqjes së vizave. “Këto dy vende duhet të informojnë qytetarët e tyre për mundësitë e lirisë dhe të limiteve pas këtyre vendimeve”- nënvizoi Malmstrom, duke përsëritur duhet bërë një fushatë informuese për atë që ofron liberalizimin e vizave.
Shqipëria një hap larg hyrjes në “Schengen”
Axhenda e Brukselit konfirmon si periudhë të favorshme për hyrjen në fuqi të marrëveshjes, fundin e muajit tetor
Shqipërisë i mjafton miratimi i 3 rekomandimeve të fundit të Brukselit, për të nënshkruar përfundimisht marrëveshjen e liberalizimit të vizave me BE-në. Në bazë të axhendës së institucioneve të Bashkimit Evropian, periudha tetor- nëntor, është më e përshtatshmja për firmosjen e “Schengenit”, mes palës shqiptare dhe asaj evropiane. Pas deklaratave inkurajuese të ministrave të Jashtëm të Brukselit në nëntor të vitit të kaluar, erdhi në kohën e duhur dhe brenda kuadrit premtues vendimi për liberalizimin e vizave Shqipëri-BE. Hyrja në fuqi e lehtësimit të procesit për vizat, do të bëhet fakt i kryer në muajt të parë të vjeshtës së këtij viti. Kjo bëhet gjithnjë e më e besueshme nëse ju rikthehemi kritereve teknike të plotësuara nga qeveria shqiptare, siç janë pajisja e shtetasve me dokumentet e sigurisë së lartë, siguria e kufijve dhe reforma të tjera në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Implementimi i 3 kritereve te fundit të Komisionit Evropian, është pika kyçe e të gjithë procesit.
...