E Diel, 1 Nëntor 2026

T’u rikthejmë brezave trashëgiminë e elitës së ndaluar shqiptare

Trashëgimia jonë mendore, e shkëputur në mënyrë të dhunshme nga regjimi komunist, duhet të rikthehet tek ne dhe tek pasardhësit tanë, ashtu siç është me ato përmasa që ka; me vlerat dokumentare, me vlerat shkencore, albanologjike, filozofike, psikologjike dhe sociologjike që ajo mbart

Edhe pse kultura i tregon realisht udhën çdo shoqërie për të ndryshuar, në projektet tona politike, arsimore, kulturore, apo edhe të shoqërisë civile, shpesh u janë rezervuar “role episodikë”. Ka ardhur koha qe kultura shqiptare, pjese e rendesishme, madje mjaft e rendesishme e se cilës është edhe trashëgimia jone mendore të futet në planet e mëdha të çdo qeverisjeje demokratike. Më konkretisht, duhet të fillojë të ndryshojë radikalisht qëndrimi i qeverisë dhe i të gjithë faktorëve të lartpërmendur, ndaj saj. E problemi më parësor është ndërtimi i një strategjie për futjen, përthithjen dhe përdorimin praktik të literaturës së letërsisë dhe mendimit shqiptar të traditës në të gjitha nivelet e strukturat e shkollës shqiptare, po të bëhet e mundur në të gjitha trevat e saj.
Pikënisja e kësaj strategjie, pra krijimi i shtratit të saj, mbi të cilin mund të vijohet, kryesisht nga pikëpamja politike, institucionale dhe administrative, tashmë është hedhur. Si pasojë e një pune të gjatë hulumtuese, kërkimore dhe kataloguese, tashmë ne kemi në dispozicion, të botuar dhe të strukturuar në të gjitha planet, një enciklopedi të tërë të veprave dhe autorëve, jo vetëm më të spikatur, por edhe të të gjitha drejtimeve dhe tematikave që konsistojnë një mendim të kualifikuar.
Mirëpo këtij shtrati, kësaj baze të hedhur me themele të forta shkencore dhe edukative, duhet t’i ngrihet një godinë, duhet t’i përgjigjet një vullnet politik, pra lipset t’i përgjigjet edhe një “Ide e përgjithshme pedagogjike”. “Kombet që e kanë ndjerë thellësisht nevojën e një reforme, nuk kufizohen as në përsosjen e institucioneve të tyre juridike, as kanë për qëllim vetëm punimin më të mirë të mekanizmit të shtetit, por rëndësinë më të madhe ia japin rregullimit dhe lartësimit të jetës arsimore si dhe cilësisë së prodhimit të saj”. Po sot a e kemi vallë një ide të tillë pedagogjike? A është vallë në lartësinë e misionit të vet për “popullarizimin e shkencave të mendimit dhe shoqërisë”, jo vetëm instanca jonë drejtuese arsimore, por edhe vetë trupa jonë e mësimdhënies?
Elita e ndaluar shqiptare për te cilin po flasim megjithëse ka patur një rol parësor historik në frymëzimin e popullit shqiparë për lirinë politike dhe ndërtimin e instucioneve të shtetit shqiptar është unikale për fatin e saj tragjik. Kjo që po themi nuk është e vlefshme vetëm për figura të tilla intelektuale si Mit’hat Frashëri, Branko Merxhani, Vangjel Koça, Mehdi Frashëri, Tajar Zavalani, Anton Harapi, Gjergj Fishta, Zef Valentini, Krist Maloki, Stavro Skëndi, Arshi Pipa, Ernest Koliqi, Namik Resuli, etj, etj, por edhe për figura intelektuale si Faik Konica, Fan Noli e të tjerë, qe u fol për ta dhe për veprën e tyre, por në mënyrë të kufizuar dhe censuruese.
Trashëgimia jonë mendore, e shkëptur në menyrë të dhunshme nga regjimi komunist duhet te rikthehet tek ne dhe tek pasaardhësit tanë, ashtu sic është me ato permasa që ka; me vlerat dokumentare, me vlerat shkencore, albanologjike, filozofike, psikologjike dhe sociologjike që ajo mbart.
Kemi të bëjmë me një mungesë shumë serioze e të trashëguar prej kohësh në procesin e mësimdhënies, dhe ne se ky raport që nuk ekziston, do vazhdoje, do t’i heqë dalëngadalë arsimit tonë bazën kombëtare.
Jemi në kohën e duhur kur janë “pjekur“ kushtet, jane krijuar mundësitë dhe kapacitetet, që të gjitha këto dije te letersise dhe të mendimit shqiptar të traditës të arrijnë të kthehen në vlera të organizuara e të administrueshme si të tilla, në mënyrë që të bëhen të përdorshme dhe të aplikueshme edhe për nxënësit apo studentët tanë. Në këtë prizëm, strategjia që ne propozojmë duhet të shtrihet në tre nivele dhe faza kryesore: në kthimin e këtyre dijeve në pjesë përbërëse të sistemit tonë arsimor, në shndërrimin e tyre në pjesë të qenësishme të kurrikulës dhe mësimdhënies së tij, dhe së fundi në edukimin dhe rrezatimin e këtij mendimi në të gjitha indet, shtresat dhe strukturat kulturë-formuese të shoqërisë sonë. Asnjë nga këto drejtime s’lipset të jetë i ngurtë dhe i pagërshetuar me tjetrin, qoftë në kohë, qoftë në përmbajtje, por strategjia lipset të funksionojë në bazë të dy parimeve të rëndësishme të punës së sotme bashkëkohore: punës në grup dhe punës ndër-lëndore, pra ku të përfshihen shpejtësitë e ndryshme të zhvillimit të drejtimeve të ndryshme, dhe pjesëve të caktuara brenda secilit drejtim, që të shërbejë si shembull a projekt-pilot për shtrirjen e eksperiencës në të gjithë vendin.
E gjitha kjo së pari kërkon vullnet politik, që të mbështetet nga një vullnet ministerior që ta përkthejë atë në një vullnet të konkretizuar institucional. është e vërtetë se ka probleme të thëthitjes së këtij vullneti në nivelin e poshtëm strukturor dhe profesional të sistemit tonë arsimor.
Ndaj së pari duhet t’i mëshohet drejtimit të kthimit të kësaj literature në pjesë përbërëse të shkollës shqipe, kudo që ajo të jetë. Për këtë qëllim duhet t’i jepet një rëndësi e vecantë projektit të pasurimit të bibliotekave të shkollave me librat e mendimit të traditës, pasi ajo është pikënisja e një reforme të tërë të teksteve dhe literaturës jashtëshkollore, që brumos gjeneratën e re po kaq, e mos më shumë sesa literaturë shkollore ne disa drejtime. Nisur nga ky koncept pedagogjik parësor, sot në botën e kultivuar, duhet të ecet me dy shpejtësi, jo vetëm në përzgjedhje, por edhe në investime, pasi kjo lloj literature e mendimit është zero nëpër bibliotekat tona të mbushura dëng me letërsi. “Ponderimi” i mendimit dhe literaturës së tij duhet te trajtohet sot ne reformën e pritshme pedagogjikë.
Së dyti, një grup i caktuar specialistesh dhe studiuesish të kësaj fushe nevojitet të fillojnë një lëvizje publike, nëpërmjet organizimit të një seminari shëtitës nëpër disa Drejtori kryesore të Arsimit nëpër rrethe, qoftë edhe nëpërmjet botimit të librave të posaçëm shpjegues e problemor për temat e kësaj literature, për librat përfaqësues dhe profilet e autorëve të saj më në zë ne menyre qe nxenesit tane si fillim te marrin informacion mbi keta intelektual. Veçse, kësaj përpjekjeje publike, Ministria duhet të dijë si t’ia korrë frytet, në mënyrë që më në fund të arijë të ndryshohet thelbësisht ky raport i padrejtë i kësaj.
Së treti, të realizohet një lëvizje e madhe promovuese dhe praktikisht ndërfutëse e kësaj literature në të gjitha nivelet e strukturës sonë arsimore.
Së katërti, kemi të bëjmë vërtet me diçka graduale, por që lipset gjithsesi të fillojë menjëherë, se tek e fundit kjo do ta përligjte emrin reformë, e do ta largonte nga etiketimi gjysëm-reformë apo reformë për reformë. Në mbështetje të këtij vullneti, me siguri qe do të vihet edhe Ministria e Kulturës apo të gjitha institucionet kulturë-formuese, në pozicionimin e duhur që duhet të mbajnë ndaj promovimit të kësaj literature. Në ndihmën financiare dhe mbështetjen institucionale të koperimit, që duhet t’u japin botimeve të tipit antologjik apo enciklopedik të literaturës përkatëse, një detyre kjo jo vetëm imperative e programit të çdo force politike (aq më tepër të djathtë), por edhe një direktivë kushtëzuese e traditës perëndimore. Le ta zëmë p.sh. qoftë në rendin kohor ku “Antologjisë së mendimit shqiptar”, një botimi të financuar para shumë vjetësh nga kjo Ministri, t’i shtohen edhe botime të specializuara në thellësi të materies, të tilla si “Antologji e mendimit shqiptar të viteve “20”, “Antologji e mendimit shqiptar të viteve ’30, “Antologji e mendimit shqiptar të viteve ’40”; Ose në rendin tematikor, ku të specializohen vëllime të veçanta për fushat e shtrirjes së këtij mendimi, të tilla si “Antologji e mendimit kritiko-letrar shqiptar”, ”Antologji e mendimit sociologjik shqiptar”, “Antologji e mendimit filozofiko-politik shqiptar”, ose edhe për materie më të veçanta si mendimi juridik ose ai pedagogjiko-psikologjik. Pra, përtej divulgimit nëpër shkolla dhe universitete, lipset një zhvillim edhe në nivelin, le të themi akademik, të këtij mendimi, cka do të përbënte drejtimin e tretë të strategjisë sonë.
Së pesti, një ndihmesë të drejtpërdrejtë duhet t’i jepet zbatimit të ligjit për librin dhe krijimit të një zëri të veçantë në buxhetin e ministrisë, një zë ky që t’i krijojë lehtësira subvencionimit të librit në përgjithësi, por kryesisht të ndihmojë botimin e atyre segmenteve të tij më të ndjeshme. Po cilat janë ato? Rrudhja sociale e librit të prirur nga kërkesat e tregut, ka nisur t’i japë udhë zhvillimit të së ashtuquajturës “Industri e kulturës”. çka nënkupton rrudhjen e rezervave për botime të specializuara, të domosdoshme dhe jetike, si ato që kërkojnë punë dhe investim akademik, të botimeve të veçanta të albanalogjisë, historisë, mendimit të traditës; Nëse çdo gjë lihet në dorën e tregut, pjesë të tëra të kësaj literature, që është palca kurrizore e kulturës sonë do të humbasë, nuk do ta shohë dritën e botimit, me një humbje të çmuar të paraqitjes, përfaqësimit dhe edukimit të brezave të rinj. Ja pse është imperativ urgjent i shtetit të mos e lërë tregun të diktojë zhdukjen e copave të mëdha të identitetit tonë kulturor, aq ndihmuese në pedagogjinë dhe arsimin shqiptar, por te ndihmojë ne mënyrë institucionale botimin, promovimin dhe krijimin e vullnetit për lexim për këtë lloj literature mjaft të rendesishme.

Ligjërata e mbajtur nga presidenti i Shtëpisë Botuese “Plejad”, në seminarin e posaçëm, për programet e letërsisë në sistemin parauniversitar, organizuar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›