Lulzim Basha: Opozita tentoi të godasë procesin e liberalizimit të vizave
“Janë bërë përpjekje për ta vonuar apo për ta dëmtuar përpjekje e Shqipërisë për liberalizimin e vizave jo nga opozita në tërësi, por nga eksponentë të opozitës dhe njerëz të afërt të Edi Ramës”
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha ka reaguar sot ndaj letrës që Edi Rama i ka përcjellë një ditë më parë presidentit të Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso, për liberalizimin e vizave dhe mos ndikimin e tyre nga situata aktuale politike. Ministri Basha e konsideroi këtë veprim si një tentativë shfajësimi të panevojshme, pasi sipas tij opozita nuk ka dhënë asnjë kontribut në procesin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve. “është e lehtë të kritikosh sot kur kontributi yt është mjaftuar me lëvizje mbi dhe nën rrogoz kundër disa prej kritereve themelore që Shqipëria përmbushi, që qeveria shqiptare ishte e angazhuar të përmbushte në drejtim të liberalizimit të vizave. Në këtë kuadër më vjen keq, por duhet të risjell në vëmendje goditjet e dështuar ndaj integritetit të sistemit të dokumentave të sigurta, të letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike, apo deklarata të tjera të papërgjegjshme përsa i përket potencialit migrator të Shqipërisë, apo sigurisë së kufijve, luftës kundër krimit etj,. Gjithsesi qeveria mbetet e angazhuar për të përmbushur të gjitha kriteret e Komisionit Evropian, për përfitimin e lëvizjes së lirë në “Schengen””- u shpreh ministri Basha. Ai vuri në dukje se gjatë gjithë këtij procesi të gjatë, opozita s’ka luajtur asnjë rol, duke u vetëpërjashtuar nga kursi i reformave të ndjekura nga qeveria. “Kuptimi thelbësor që është vërejtur me shqetësim janë përpjekjet për ta vonuar apo për ta dëmtuar qoftë edhe nga ana e imazhit përpjekjen e Shqipërisë për liberalizimin e vizave jo nga opozita në tërësi por nga eksponentë të rëndësishëm të opozitës”- vuri në dukje Basha. Ai e cilësoi letrën e Edi Ramës drejtuar komisionerit të BE si një shfajësim të panevojshëm, pasi opozita nuk ka marrë pjesë në asnjë prej ligjeve dhe reformave të miratuara në parlament, të cilat kanë qenë të lidhura direkt me procesin e liberalizimit të vizave.
Vendimin e KE-së për vizat, ministri Basha e konsideron si sfidë madhore për Shqipërinë
Vetëm një ditë pasi Kolegji i komisionerëve miratoi rekomandimin e KE-së për liberalizimin e vizave për Shqipërinë është mbajtur në Tiranë një forum në lidhje me këtë proces. Në fjalën e tij, ministri i brendshëm Lulzim Basha ka theksuar se heqja e vizave është një sfidë e madhe për Shqipërinë. Sipas tij, arritjet e Shqipërisë në drejtim të këtij procesi të rëndësishëm është si pjesë përbërëse e bashkëpumimit me strukturat e Bashkimit Europian në shumë fusha. Ai shtoi më tej se vendi ynë i është përgjigjur në kohë rekordë sfidës madhore për liberalizimin e vizave por theksoi se sigurimi i kufijve është edhe kushti thelbësor për këtë proces. “Shqipëria është partnere e denjë në sfidën për sigurinë europiane dhe është një partnere e denjë në rajon në luftën kundër narkotrafikut”, theksoi Basha. Më tej, ministri Basha theksoi se procesi i liberalizimit të vizave ka qënë mjaft i suksesshëm për Shqipërinë dhe për objektivat afatgjate të saj.
LSI përshëndet vendimin për vizat: Hap historik për shqiptarët, qeveria e zotuar të përmbushë kushtet Lëvizja Socialiste për Integrim ka përshëndetur sot vendimin e kolegjit të komisionerëve të Bashkimit Evropian, për dhënien e rekomandimit për heqjen e vizave me Shqipërinë. Sekretari i përgjithshëm i LSI-së Luan Rama tha se ky vendim është një hap historik për shqiptarët. Ai tha se për të përfituar më shpejt nga vendimi, duhet që palët politike në vend të përqendrohen në realizimin e reformave dhe kushteve të KE-së. Zyrtari i lartë i LSI-së vlerësoi gjithashtu se qeveria “Berisha”, është e zotuar për të përmbushur në kohë rekord kushtetet e reja të ndërkombëtarëve, në mënyrë që shqiptarët të lëvizin pa viza në hapësirën “Schengen”.
...