E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Vetëm Rama tha që Tripoli s'ka rënë

Nga Express më 24 gusht 2011 në ora 16:24

“Qeveria shqiptare mbetet e gatshme që të marrë pjesë në misionet humanitare. Ajo mbështet Këshillin Kombëtar të Tranzicionit të Libisë dhe do të ndërmarrë hapat e nevojshme për të mbështetur popullin libian.

Gjithashtu, ajo mbështet deklaratën e presidentit amerikan, Barack Obama, se diktatori tjetër lau në gjak popullin sirian”.

Kështu është shprehur kryeministri Berisha sot gjatë mbledhjes së qeverisë, duke folur mbi situatën aktuale në Libi.

“Forcat opozitare në Libi i dhanë fund diktaturës, libianët i dhanë fund regjimit të Gadafit”, tha ai.

Duke shtuar më tej se Libia mori mbështetje nga NATO, ku kjo e fundit konsolidoi e forcoi këtë herë edhe më tej, misionin e saj për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

“Pa praninë e NATO-s, koloneli gjakësor do të kishte zhdukur rreth 1 milionë qytetarë të vet, për fajin e vetëm se ata kërkonin lirinë”, shtoi Berisha.

Sipas tij, Aleanca e Atlantikut të Veriut, u bë një organizatë që qëndroi në krye të protestës për mbrojtjen e jetës së qytetarëve libianë, duke shtuar se “procesi i rrëzimit të klikave diktatoriale është një zhvillim frymëzues për mbarë popujt e shtypur”.

Duke iu kthyer më pas reagimit të kryeopozitarit shqiptar, Edi Rama, kryeministri Berisha tha se ai e ka lënë politikën dhe tashmë është kthyer në origjinë.

“I dështuar në politikë dhe publicistikë, vetëm Rama tha që nuk ka rënë Tripoli. Por unë i besova të vërtetës, se koloneli kishte rënë”, theksoi më pas kreu i qeverisë.

Ai nuk harroi as të pohonte faktin se shqiptarët e kuptojnë më së miri popullin e Libisë, si të dalë vetë nga një diktaturë e egër.

“Por ne ia dolëm të parandalojmë çdo lloj përplasje në 20 shkurt 1991”, tha ai lidhur me një fakt të tillë.

Kryeministri gjithashtu vuri theksin në të ardhmen e Libisë duke pohuar se tashmë atë e pret rruga e ndërtimi të një shteti të ri që respekton të drejtat e njeriut.

Po cfare shkruante Rama ne editiorialin e tij?

"Berisha i ngjan Gadafit"

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama reagoi për zhvillimet e fundit në Libi si edhe për reagimin e kryeministrit Berisha për ngjarjet në Tripoli.

Ai thotë se përpos kënaqësisë që ndjeu për shembjen e një tjetër fashizmi oriental në botën arabe, nuk pa asnjë kryeministër europian që të dilte të përshëndeste rënien e regjimit në Tripoli.

“Pashë vetëm presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s. Por as njëri as tjetri nuk shkuan deri tek shpalosja e gëzimit të fitores ende të paarritur përfundimisht deri në këto momente, siç shkoi Saliu me ngut përpara të gjithëve, duke folur para shqiptarëve si të ishte në rolin e prijësit të të gjithë koalicionit botëror kundër kolonel Gadafit, mikut të tij të vjetër dhe si të kishte përballë kamerat e mbarë planetit”, shkruan kryetari i Partisë Socialiste.

Sipas Ramës, nuk ka asgjë për t’u çuditur as në psenë e krekosjes së përsëritur të Saliut para shqiptarëve për arritje globale ku Shqipëria s’ka si të ketë dot asnjë gisht, po ku kryeministri i saj sa i dhunshëm aq qesharak, me ngjashmërira të lexueshme me kolonelin e Tripolit në qasje, sjellje, fjalor, s’rri dot pa ngritur dorën e prezencës. Për liderin e opozitës, Berisha sillet si të ishte ai vetë kërthiza e fateve të botës.

“Më mirë se kushdo Saliu vetë e di që në perceptimin e shumicës së popullit tonë ai ngjan sot me Gadafin më shumë se me këdo tjetër dhe e gjithë pranvera arabe pëlqehet e mbështetet me entuziazëm sot nga shqiptarët edhe sepse, në perceptimin e shumicës së qytetarëve tanë, ata njerëz andej po çlirohen nga halle që në distancë duken shumë më të ngjashme se ç’janë, nga regjime të korruptuara, pa zgjedhje të lira, pa liri e të drejta të garantuara për njerëzit e zakonshëm, me pasuri të mëdha në duart e një kaste dhe papunësi, varfëri të skajshme, rrëmujë e pisllëk rrugëve që për dreq ngjajnë shumë me rrugët tona”, analizon me tek Rama.

Sipas shefit të opozitës, nuk ka dyshim që Shqipëria s’është Libia, as Saliu s’është Gadafi. “Po që Shqipëria ngjan më shumë me Libinë sesa me Britaninë e Madhe e me Gjermaninë dhe që Saliu ngjan më shumë me kolonelin e Tripolit sesa me cilindo nga homologët e tij europianë, as kjo s’ka asnjë dyshim. Këtë e dinë të gjithë dhe Saliu e di që të gjithë e dinë”, përfundon analizën e tij Rama. /abcnews&tch/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›