Edhe kinezët përgatiten për asteroidin Apophis

Pas amerikanëve dhe rusëve, edhe kinezët po mendojnë alternativat e mundshme që do të devijonin trajektoren e asteroidit Apophis, i parashikuar të përplaset me Tokën më 13 prill të vitit 2036.
Pavarësisht se parashikimi nuk ka sigurinë absolute, rreziku i një impakti të Apophis me Tokën u zbulua në vitin 2004 dhe që atëherë shkencëtarët po përpiqen të gjejnë një zgjidhje, që do të shmangte përplasjen.
Apophis ka një diametër prej 200 metrash (sipas disa vlerësimeve të tjera shkon deri në 350 m) dhe lëviz me një shpejtësi 20 km për sekondë, çka të bën të mendosh se përplasja me Tokën do të çlironte një energji të frikshme.
Kujtojmë se asteroidi apo kometa e rënë në Tunguska, në vitin 1908 shkatërroi, 80 milionë pemë, duke u shtrirë në 2150 km2 në Siberinë e pabanuar. Trupi qiellor kishte një diametër prej vetëm 30 metrash.
Amerikanët dhe rusët po vlerësojnë të gjitha hipotezat, por ajo që ka gjetur më shumë interes deri tani, është ndërtimi i një sonde hapësinore, e cila do t’i afrohet asteroidit dhe ta bëjë të ndryshojë “rrugën” në të cilën po lëviz.
Sipas parashikimeve të tyre, sonda duhet të ndikojë në lëvizjen e trupit qiellor pa e prekur fare atë, por vetëm falë efektit që vjen nga masa e tij.
Ndërsa shkencëtarët rusë parashikojnë që sonda të ulet në sipërfaqen e asteroidit, ku aktivizimi i motorëve të saj të ndryshojë trajektoren e lëvizjes.