Venezuela në mbrojtje të Gaddafit

Përveç betejës personale me kancerin, Hugo Chavez, vijon edhe atë diplomatike kundër Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera perëndimore.
Presidenti i Venezuelës i quajti agresion sulmet e NATO-s dhe të Shteteve të Bashkuara kundër Muammar Gaddafit në Libi dhe siguroi se i njëjti skenar s’mund të ndodhë edhe me Venezuelën.
“Ju siguroj se formula Chavez baras me Gaddafin, Venezuela baras me Libinë, nuk do të funksionojë. Të shkatërrosh të drejtën ndërkombëtare, do të thotë të kthesh njerëzimin në epokën e gurit. Padyshim se jemi para një çmendurie imperialiste. Solidaritet me popullin libian të plagosur nga bombardimet”, komentoi Chavez ngjarjet më të fundit në Libi.
Ministri i Jashtëm i Venezuelës, Nicolas Maduro, theksoi se “Gaddafi ka deklaruar disa herë se ndodhet në vendin e tij, se do të luftojë në vendin e tij dhe se do të qëndrojë në vendin e tij”.
“E admirojmë vullnetin e tij për të luftuar dhe dënojmë agresionin kundër popullit të Libisë”, shtoi Maduro.