E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Vetëm Topi nuk e pa dhunën, Kuvendi do t’a hetojë

TIRANË- Kryeministrit Sali Berisha nuk i ka pëlqyer as deklarata e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, të bërë pak ditë më parë, lidhur me ngjarjen e dhunshme të 21 janarit para Kryeministrisë. Në deklaratën e tij, pas takimit me delegacionin e posaçëm të Bashkimit Europian, të kryesuar nga Miroslav Lajçak, Presidenti i Republikës i cilësonte tragjike ngjarjet e 21 janarit. Presidenti i Republikës bënte edhe një pasqyrim të gjatë të situatës politike, duke kërkuar jo vetëm ndaljen e tubimeve të mëtejshme, por edhe gjetjen e një dialogu mes forcave politike. Por dje, i pyetur nga media mbi faktin se a duhej Presidenti i Republikës që të mblidhte Këshillin e Sigurimit Kombëtar, Berisha u përgjigj: “Për çfarë ta mblidhte, për ngjarjen në bulevard? Si ta mblidhte Presidenti për ngjarjen në bulevard? Sepse për Presidentin ishte ngjarje në bulevard, në kafenetë e bulevardit. Për të ishte ngjarje në bulevard. Do t’ju them një gjë, meqenëse po më pyet për këtë. Nga çdo skaj i këtij vendi, nga çdo qoshe e këtij vendi, nga çdo skaj i Europës, nga çdo qoshe e Europës, nga çdo skaj i planetit dhe nga çdo qoshe e planetit, falë mediave, të gjithë panë një dhunë barbare pesë-orëshe. Jo të gjithë e kuptuan se çfarë ndodh. Bënë interpretime të ndryshme, por burrat dhe gratë e të gjitha bindjeve, e të gjitha moshave, e të gjitha qytetërimeve, e të gjitha regjimeve, panë një dhunë barbare mbi policinë. Disa menduan demonstratë të madhe, paçka se ata ishin 200-300 horra”. Kryeministri shtoi: “Pati një person, një personalitet, i cili nuk pa asnjë dhunë e ky ishte Shkëlqesia e Tij, Bamir Topi, i cili në komunikatën e parë të lëshuar nga zyra e tij, në 12 rreshta, nuk citon një herë të vetme fjalën dhunë. Këto dhe të tjera janë çështje të Komisionit hetimor parlamentar. Unë bëra publike atë që e ka bërë vetë publike zoti Topi. Ditën e parë, zoti Topi nuk pa policë që gjuheshin barbarisht, nuk pa policë që u hidhej flaka për t’u djegur, nuk pa policë të shtrirë për tokë dhe kafshët u vërsuleshin me tërbimin më të madh. Nuk pa flamurin, që një bandit e hodhi si leckë dhe një hero veshi gjoksin me të. Nuk i pa. Në komunikatën e tij, ju lutem lexojeni, ekziston çdo gjë tjetër, por fjala dhunë nuk ekziston. Po them një të vërtetë shumë të trishtë, shumë të hidhur, por kjo është një e vërtetë që do të dalë”. Të vërtetat që do të dalin, Kryeministri i bazon mbi punën që do të bëjë komisioni hetimor parlamentar. “Komisioni hetimor parlamentar do hetojë çdo gjë, rreth gjithsecilit. Nuk them dot më tepër, por kjo besoj se është një gjë që meriton. Ka të tjera të vërteta pas, por nuk janë çështje të konferencës së shtypit. Kjo ishte për mua”, - shtoi ai. Berisha la të hapur edhe mundësinë e shkarkimit të Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama. “Ta lëmë atë të hetojë Kryeministrin, Presidentin, kryeprokurorin, ministrat e të gjithë me radhë”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›