E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gardistët, Berisha: Ina Rama mori urdhër të shkelte marrëveshjen

TIRANË- Deklarata e Kryeministrit Sali Berisha, përmes një konference për shtyp, dy orë para fillimit të demonstratës homazh, të paralajmëruar nga opozita, është fillimi i një beteje të ashpër politike, që ai ka hapur jo vetëm me SHISH, Prokurorinë e Përgjithshme, por edhe me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, të cilin dje e ka atakuar për herë të parë. Në konferencën e djeshme për shtyp, Berisha foli për shumëçka, për grushte shteti, skenare puçiste, marrëveshje të fshehta, e deri edhe për armë të përdorura, sipas tij, nga protestuesit të tipit “çadra pistoletë” apo “thika me helm”. Edhe pse 24 orë më parë ai kishte akuzuar ashpër Prokuroren e Përgjithshme, për bllokim dhe dëmtim hetimi, Kryeministri i vendit, dje bëri publike një pjesë të marrëveshjes së lidhur pikërisht me Ina Ramën për gardistët, ndaj të cilëve ende janë në fuqi gjashtë urdhër-ndalimet. “Unë kisha ftuar ndrikullën e puçit të vazhdojë hetimin, e ftova Prokuroren e Përgjithshme këtu para jush, në datën 21 janar .Pardje pasdite arritëm në një marrëveshje, që secili nga oficerët e Gardës të paraqitej para prokurorit dhe natyrisht, në këtë paraqitje do bëhej deklarata e do të anulohej urdhri i arrestit. Kjo ishte një marrëveshje e qartë si kristali. Por tre orë mbrapa, kjo marrëveshje u shkel, me urdhër që mori zonja Rama, duke faktuar se nuk respekton asnjë normë, asnjë moral, asnjë standard. Natyrisht, e bëri këtë me urdhër. Shumë e vështirë të besohet një karakter kaq i ulët, që vetë të pranojë një marrëveshje, e cila kurrë nuk mund të shkelej. Oficerët e Gardës u paraqitën me dinjitet, siç ishte marrëveshja. Hanxharët, në kundërshtim me të, donin t’i vinin në arrest. Me këtë akt u faktua edhe një herë, se cila është pavarësia e institucionit të akuzës”, - tha dje Berisha në konferencën për shtyp. Kreu i ekzekutivit shtoi se ky është një akt i rëndë, duke folur madje edhe për urdhra që asaj i lëshohen. “Ai që dha urdhër të shkelet marrëveshja, e bërë në një moment kritik, ditën e mërkurë pasdite, dëshmon se është në frikë e panik të tmerrshëm për veprën që ka kryer. Vlerësoj shumë faktin se përveç ekspertëve, do të ketë edhe prokurorë të një vendi mik, në hetimin e këtij problemi. I jam shumë mirënjohës qeverisë së Shteteve të Bashkuara, për ndihmën që u jep shqiptarëve. Kjo nuk është ndihmë për qeverinë, por një ndihmë për një komb mik, i cili duhet të dijë të gjithë të vërtetën për këtë ngjarje të shëmtuar që ka ndodhur më 21 janar, ditën për drekë”, - tha Berisha. Por, kryeministri i vendit nuk ka sqaruar më pas se kush ishte ai për të cilin Berisha tha se dha urdhrin për shkeljen e marrëveshjes. I pyetur pikërisht për këtë cështje, kryeministri u përgjigj: “Shkoni pyesni atë që shkeli marrëveshjen dhe që dëshmoi se ç’përfaqëson. Shkoni pyesni se çfarë e detyroi atë të vetëposhtërohet në një shkallë të tillë. I pyesni. Unë them ka ndodhur kjo dhe jam i detyruar të them, sepse shqiptarët duhet të dinë çdo gjë. Asgjë nuk mund të mbetet pa u thënë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›