E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si u prish pakti për 6 gardistët, prokuroria: do t'i arrestonim

SHKRUAN: Leonard Bakillari 29-01-2011 10:03

Tiranë- Negociatat e tri ditëve të fundit për gjashtë gardistët, edhe pse me ndërmjetësinë e amerikanëve, nuk arritën të zhbllokonin ngërçin mes Prokurorisë dhe ekzekutivit. Konfirmohet se të paktën 5 prokurorë, me në krye drejtuesin e Prokurorisë së Tiranës, Sokol Malaj, kanë qëndruar për më shumë se pesë orë në ambientet e Drejtorisë së Policisë, në pritje të marrjes në pyetje të gardistëve, por më pas janë larguar që aty pa pasur asnjë kontakt me ta. Sinjali për “dorëzimin” e tyre është dhënë nga përfaqësues diplomatikë, mbrëmjen e së mërkurës, pas disa takimeve të zhvilluara për këtë çështje, por në momentin e fundit, gjithçka ka dështuar. Mes të panjohurave që mbart kjo negociatë e vështirë, një gjë është e qartë: Prokuroria ka shkuar për të ekzekutuar urdhër- ndalimet e nxjerra në mëngjesin e datës 22 janar ndaj 6 drejtuesve të Gardës, ndërsa këta të fundit, për të dhënë dëshmitë e tyre, e për t’u larguar në liri. Sipas burimeve të rezervuara, të cilat kanë qenë pjesë e negociatave, mësohet se 5 prokurorët e çështjes janë njoftuar rreth orës 21:00 të mbrëmjes së të mërkurës, se marrëveshja ishte arritur dhe oficerët e Gardës do të dorëzoheshin në polici. Ndërsa kryeministri Sali Berisha tha dje se: “Miqtë ndërkombëtarë e kuptuan se çfarë fshihej pas urdhër-arresteve për zinxhirin e Gardës kombëtare. Pas një angazhimi shumë të fortë, arritën një marrëveshje, që secili nga oficerët e Gardës të paraqitej para prokurorit, ku të bëhej deklarata dhe të anulohej urdhër-arresti. Por kjo marrëveshje u shkel nga urdhëri që mori zonja Rama, duke faktuar se ajo nuk respekton asnjë normë dhe asnjë standart” “Kompromisi” i arritur pas shumë negociatash kishte të bënte me marrjen në pyetje të 6 drejtuesve të Gardës. Për Prokurorinë, dëshmitë e tyre do të përcaktonin se cili kishte përgjegjësi dhe cili jo për ngjarjet e 21 janarit, ku vetëm për të parët do të ekzekutoheshin urdhër-arrestet. Në këtë linjë, pesë prokurorët kanë shkuar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës rreth orës 22:00-22:30 të mbrëmjes së mërkurë. Në pritje të përballjes me gardistët, ata fillimisht janë vendosur në zyrat e sektorit të vrasjeve në drejtori, ku kanë qëndruar për disa orë. Pas rreth tri orësh qëndrimi, ata kanë frekuentuar edhe ambiente të tjera përreth drejtorisë, në pritje të finalizimit të marrëveshjes, e cila si pikë fundore të saj kishte lirimin e të gjithë drejtuesve të Gardës, të cilët nuk kishin përgjegjësi në vrasjen e tre civilëve më datën 21 janar. Por kjo pritje ka zgjatur për rreth pesë orë e gjysmë, kohë kur pesë prokurorët kanë qëndruar në ambientet e drejtorisë. Në orën 03:30 të mëngjesit të së enjtes, ata janë informuar se gardistët nuk kanë pranuar të merren në pyetje dhe janë larguar që aty. Sipas burimeve mësohet se pak kohë pasi prokurorët kanë shkuar në ambientet e drejtorisë së policisë, në të njëjtin vend, por në ambiente të tjera, kanë mbërritur edhe drejtuesit e Gardës, të cilët kishin marrë më parë garancinë se do të liroheshin, nëse nuk ishin të implikuar në vrasje. Gjithçka mësohet se ka ndryshuar në momentet e fundit, vetëm pak çaste para nisjes së seancës së pyetjeve, kur prokurorët janë informuar se gardistët janë larguar nga ambientet e policisë. Burime të prokurorisë pohojnë se qëllimi ishte ekzekutimi i 6 urdhër-ndalimeve, çka ka sjellë edhe dështimin e përpjekjeve për një mbyllje të butë të konfliktit 1-javor mes Prokurorisë dhe qeverisë mbi këtë çështje. Dështimi i negociatave për gardistët duket se ka thelluar konfliktin mes prokurorisë dhe ekzekutivit, ku edhe dje nuk kanë munguar akuzat ndaj kryeprokurores Ina Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›