E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi me ish-presidentët: Mbroni institucionet e pavarura

Rëndësia e mbrojtjes së pavarësisë së institucioneve ishte në qendër të diskutimeve në takimin e djeshëm, midis kreut të shtetit Bamir Topi dhe dy paraardhësve të tij, Alfred Moisiu e Rexhep Meidani. Siç thuhet në njoftimin zyrtar, tre personalitetet diskutuan në lidhje me situatën politike të krijuar dhe rolit të Kryetarit të Shtetit, në respekt dhe zbatim të Kushtetutës, për zgjidhjen sa më të shpejtë dhe efikase të mosmarrëveshjeve politike dhe nxjerrjes së vendit nga gjendja e patolerueshme e hendekut politik mes palëve, përshkallëzimit të gjuhës së urrejtjes, edhe në drejtim të institucioneve të larta kushtetuese e të pavarura të vendit. Nga ana e tyre, dy ish-presidentët vlerësuan lart rolin moderator dhe të ekuilibruar të Presidentit të Republikës, Bamir Topi dhe apelet e vazhdueshme të tij për partitë politike, ku bëhet thirrje për vendosjen e dialogut politik, konstruktiv, thelbësor në shërbim të interesave të vendit dhe të qytetarëve të tij, si garant i Kushtetutës dhe i unitetit të popullit. Z. Meidani dhe z. Moisiu u shprehën se mbështesin fort rolin e Kryetarit të Shtetit, duke nënvizuar rëndësinë e institucioneve të pavarura, theksuan nevojën urgjente për rikthim në normalitetin politik institucional, si dhe që politika dhe udhëheqësit politikë duhet të ndalin menjëherë çdo sulm ndaj institucioneve të pavarura kushtetuese. Njëkohësisht u vu në dukje domosdoshmëria për t’u lënë hapësirën dhe kohën e nevojshme organeve të specializuar ligjore, që të zhvillojnë një hetim tërësor, profesional, transparent e të paanshëm.

Pasi u dënua dhuna e ngjarjeve të 21 janarit dhe sulmet verbale kundër institucioneve, rendit publik dhe vetë jetës së qytetarëve, në takim u theksua nevoja jetike e shtyrjes apo anulimit të çfarëdolloj tubimi masiv publik, që mund të shkaktojë ngjarje të padëshiruara, e ruajtjes së gjakftohtësisë dhe komunikimeve me tone të qeta, të maturuara dhe mendimet vizionare në frymën e Kushtetutës së Shqipërisë – që do të ishin hapat e parë konkretë, në kërkim të zgjidhjes së drejtë për të dalë nga kjo gjendje, e cila cenon demokracinë në vend dhe dëmton rëndë imazhin e Shqipërisë në botë.

Presidenti, Bamir Topi, priti dje edhe Përfaqësuesin e Kryetarit të Radhës së OSBE-së, Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Lituanisë, zotin Evaldas Ignatavitius. Në këtë takim, Kryetari i Shtetit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e OSBE-së përgjatë gjithë rrugës së Shqipërisë dhe të popullit shqiptar, për konsolidimin e institucioneve demokratike, krijimin dhe forcimin e shoqërisë civile, aftësimin profesional të administratës publike, funksionimin e shtetit ligjor, sipas standardeve dhe parimeve demokratike. “Edhe këtë radhë, vëmendja e faktorit ndërkombëtar është fokusuar në Shqipëri, për shkak të situatës dhe klimës politike në vendin tonë, të rënduar së tepërmi, sidomos për shkak të ngjarjeve tragjike të 21 janarit dhe për këtë gjendje ne ndajmë shqetësimin e jashtëzakonshëm”, u shpreh Presidenti Topi. Ignatavitius nënvizoi rëndësinë që ka për zgjidhjen e situatës së rëndë ku gjendet vendi, gjetja imediate e gjuhës së përbashkët mes palëve, e vullnetit për një dialog sa më të shpejtë e konstruktiv, në shërbim të interesave madhore të Shqipërisë. D.M.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›