Ekspertiza e të vrarëve zbardh dinamikën e plumbave
Tiranë- Hetimi i Prokurorisë së Tiranës për tre të vrarët gjatë demonstratës së 21 janarit ka përforcuar dyshimet se dy gardistë kanë hapur zjarr ndaj protestuesve. Analiza e të gjithë elementeve të deritanishëm të hetimit, por edhe të dhënat e reja, sipas prokurorisë tregojnë se tri viktimat janë qëlluar nga dy pozicione të ndryshme, ku sipas të dhënave rezultojnë të jenë të vendosur dy ushtarë të Gardës së Republikës. Ekspertizat kanë treguar se drejtimi i plumbave që kanë marrë viktimat, por edhe tre të plagosurit me armë zjarri, kanë orientuar hetuesit drejt dy pozicioneve kyçe. Sipas të dhënave të deritanishme, ky është varianti më i besueshëm, pasi nga eksperimentet teknike të kryera në vendin e ngjarjes, drejtimi i qitjes përputhet tërësisht me pozicionet ku ishin vendosur dy gardistët. Përveç plumbave të gjetur në trupat e dy nga viktimave, Ziver Veizi dhe Faik Myrtaj, prokuroria ka në dorë edhe një sërë aktesh të tjera, si këqyrja e kufomave, ku përcaktohet me ekzaktësi plaga e shkaktuar dhe drejtimi i qitjes. Sipas të dhënave, rezulton se plumbat që kanë shkaktuar vdekjen e tre protestuesve kanë ardhur nga dy gardistë, të cilët ishin vendosur në krah të Kryeministrisë, nga ana e Piramidës. Ekspertiza dhe këqyrja e kufomës së Hekuran Dedës ka nxjerrë në dritë një tjetër detaj të rëndësishëm, sipas të cilit ai mund të jetë qëlluar me automatik tip “AK47”, i njohur ndryshe si kallashnikov. Ky version, që konsiderohet si mjaft i besueshëm të paktën nga hetimet e deritanishme, e lidh ngjarjen me një tjetër gardist që ndodhej pak metra larg kolegut të tij, që është filmuar nga kamerat duke qëlluar. Por burime pranë organit të akuzës sqarojnë se detajet e kësaj ngjarjeje, dhe dinamika reale e saj mund të sqarohen edhe nga drejtuesit e Gardës së Republikës, të cilët nuk janë marrë ende të pyetje.