E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK: Sulmi ndaj Topit, puç institucional

TIRANË- Demokristianët e kanë cilësuar një puç institucional sulmin e Kryeministrit Berisha ndaj Presidentit të Republikës, Bamir Topi. “Partia Demokristiane e Shqipërisë shpreh shqetësimin e saj të thellë, për sulmin e paprecedent të Kryeministrit Berisha ndaj institucionit të Presidentit të Republikës dhe e konsideron sulmin e sotëm ndaj Presidentit një kërcënim për paqen dhe stabilitetin në vend. Sulmi i sotëm i Kryeministrit Berisha ndaj Institucionit të Presidentit, që vjen pas sulmeve që ai ka bërë ndaj institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Shërbimit Informativ Shtetëror, është një përpjekje e dështuar e Kryeministrit Berisha për puç institucional e Kushtetues, për bllokim dhe paralizim të institucioneve kushtetuese dhe futjen e vendit në kaos”, thuhet në njoftimin për shtyp të PDK-së. PDK-ka i ka kërkuar dje kryeministrit që të ndalë sulmet ndaj institucioneve kushtetuese. “PDK gjykon se agresiviteti dhe arroganca e kësaj maxhorance dhe e Kryeministrit Berisha ndaj institucioneve kushtetuese përbën një kërcënim serioz për zgjidhjen paqësore të krizës dhe rikthimin e standardeve demokratike në vend”, - thuhet në deklaratë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›