E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Vizat? Ishte faji ynë

Kryeministri Sali Berisha, në një intervistë për "Deutsche Welle", ka deklaruar se Bashkimi Europian nuk e ka diskriminuar Shqipërinë për vizat, por ka theksuar se vendi ynë nuk ka arritur t‘i plotësojë standardet e kërkuara. Duke u ndalur te zgjedhjet, Berisha është shprehur se shqiptarët votuan më 28 qershor koalicionin e tij dhe jo atë të kundërshtarit. Gjithashtu, në këtë intervistë kreu i qeverisë shqiptare flet për ecurinë e zgjedhjeve, numërimin e votave, ankesat e opozitës, si edhe prioritetet kryesore të qeverisë së ardhshme.

Zoti Berisha, Komisioni Europian propozoi më 15 korrik që strukturat përkatëse të BE-së të nisin procedurat për heqjen e vizave të udhëtimit drejt vendeve të hapësirës së Shengenit për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Shqipëria nuk u përfshi në këtë grup. Si e komentoni këtë vendim të Brukselit?

E përshëndes vendimin e KE-së. Ai përbën një zhvillim shumë pozitiv, jo vetëm për qytetarët e atyre vendeve, por për të gjithë rajonin, i cili është i bashkuar në perspektivën e tij europiane. Sa për Shqipërinë, është fakt i pamohueshëm që në disa drejtime kemi vonesa, si në pasaportat biometrike dhe në plotësimin e ndonjë kushti tjetër. Këto kërkesa nuk janë penalizuese, as diskriminuese. Përkundrazi kërkohet arritja e disa standardeve për Shqipërinë. Tani po përpiqemi të pajisim qytetarët e Shqipërisë me pasaporta biometrike. Nëse më pyet: A e prisja që Shqipëria të përfshihej në listën e parë krahas Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë? Do të përgjigjem jo, nuk e prisja. Kjo sepse jemi ende me proces zgjedhor të papërfunduar dhe ende nuk ka përfunduar pajisja me pasaporta biometrike. Prandaj e konsideroj një vendim pozitiv atë të KE-së, të komisionerit Olli Rehn dhe të zv/presidentit të këtij komisioni, Jacques Barrot. Pra, nuk mund të them që Shqipëria është diskriminuar qëllimisht. Jo. Të tjera vende prej vitesh kanë një sistem identifikimi shumë më të mirë se Shqipëria, e cila po e zhvillon tani. Shoh një qëndrim objektiv të KE-së dhe më mbetet të punoj për të plotësuar të gjitha kërkesat për lëvizjen e lirë. Lëvizja e lirë është një zhvillim i jashtëzakonshëm me ndikim real, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë, për këto pjesë të Ballkanit, ku vizat liberalizohen dhe është e domosdoshme të bëhet mbi bazën e standardeve të sigurisë më të lartë.

Le të kthehemi në çështjen e ditës në Shqipëri: përfundimin e procesit të numërimit të votave dhe nxjerrjen e rezultatit zyrtar përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Përse po vonon ky proces?

Në historikun e zgjedhjeve, këto janë zgjedhje që ankesat janë shqyrtuar në kohë rekord, po kështu edhe nxjerrja e rezultatit paraprak. Këto janë zgjedhje, që pavarësisht nga zhurma që bëhet, numri i ankesave është 20 herë më i vogël se në zgjedhjet e mëparshme. Nga 400 ankesa që ka pasur në zgjedhjet parlamentare të 2005-ës, ka vetëm 20-25 ankesa. Këto flasin shumë. Kam dëgjuar që ka pasur vërejtje për procesin e numërimit, por ky është numërimi më transparent që është bërë ndonjëherë, numërimi me kamera. Çdo çështje e ngritur në qendrat e numërimit të votave mund të verifikohet sepse është e filmuar. Po kështu, subjektivizmin mund ta matim shumë kollaj përmes procesverbaleve.

Në raportet paraprake të OSBE/ODIHR-it për procesin zgjedhor dhe të numërimit të votave, klima e theksuar e mosbesimit mes palëve shihet si një mangësi që dëmtoi procesin zgjedhor, sidomos atë të numërimit. Ku i shihni mundësitë që kjo klimë të ndryshojë për mirë?

Ligji dhe zbatimi i ligjit. Rruga më e shkëlqyer e një procesi është zbatimi i ligjit. Kundërshtari im politik nuk e pranon humbjen. Por ja që populli nuk ia dha atij fitoren, votoi koalicionin tim, që doli me 4-5 deputetë më shumë.

Zoti Berisha, ndërkohë që priten rezultatet përfundimtare, ndërkohë që Kolegji Zgjedhor do të pranojë ose hedhë poshtë kërkesat e PS-së dhe të PD-së për të ndryshuar rezultatet e deritanishme të shpallura nga KQZ-ja, ju po e projektoni qeverinë e re Berisha-Meta. Cilat janë prioritetet e saj?

Shqipëria europiane. Një tërësi reformash të gjithanshme, që e afrojnë Shqipërinë me vendet e BE-së. Ky është projekti më ambicioz që kemi paraqitur ndonjëherë, por tërësisht i realizueshëm. Rruga e realizimit janë reformat, reformat dhe përsëri reformat. Shqipëria ka nevojë për reformat, si zogu për ajrin për të fluturuar. Ato nisin që te zgjerimi i të drejtave dhe lirive të qytetarëve shqiptarë, konsolidimit të institucioneve, pavarësisë së sistemit gjyqësor, rinovimit të plotë të infrastrukturës, zgjerimit të lirisë së tregut, zhvillimit të qëndrueshëm rural, shoqërisë dixhitale etj.

Kthehemi te projekti madhor i qeverisë së re Berisha-Meta, Shqipëria europiane. Gjermania deri më sot ka qenë një nga mbështetëset më të forta të integrimit europian të Shqipërisë. Si do ta përshkruanit praninë gjermane në progresin e deritanishëm të projektit europian të Shqipërisë?

Marrëdhëniet me Gjermaninë janë të shkëlqyera. Ndihma që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë është më e madhja për frymë të popullsisë, është një ndihmë prej 860 milionë eurosh. Por kjo ndihmë është konvertuar në qindra projekte me efikasitet të plotë, që përfshijnë të gjitha fushat me rëndësi për jetën e përditshme të shqiptarëve: ujërat e zeza, furnizimin me ujë, energjinë, bujqësinë, ndërtimin e rrugëve, kulturën, arsimin, policinë, ushtrinë. Nuk ka asnjë fushë të jetës ku Gjermania të mos ketë adresuar ndihmën e saj. Nëse ka një vend ku ndihma gjermane është histori e vërtetë suksesi, kjo është Shqipëria. Në këto 4 vjet marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë do të njohin zhvillime të mëtejshme.

Vendimi i Brukselit për liberalizmin e vizave penalizon Shqipërinë

Ekzekutivi i Bashkimit Europian vendosi që qytetarët e Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë t‘u lejohet udhëtimi pa viza në vendet e BE-së prej fillimit të vitit të ardhshëm. Ky qëndrim u bë i ditur pak kohë më parë nga komisioneri për Drejtësi i BE-së, Zhak Barro. Tashmë propozimi duhet të miratohet nga 27 ministrat europianë të Drejtësisë, ndonëse votimi unanim nuk është i nevojshëm. Barro ka theksuar se në regjimin e ri të vizave do të përfshihen fillimisht Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia, ndërsa Shqipëria e Bosnja do të bëhen pjesë e tij më vonë, diku në vitin 2010, kur t‘i kenë përmbushur kriteret e duhura. Shqipëria dhe Bosnja ishin të vetmet vende të Ballkanit Perëndimor, të cilat nuk arritën të përmbushnin të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave me bllokun e 27-shes, ndërsa Maqedonia rezultoi të ishte e para në përmbushjen e reformave dhe përmbushjen e standardeve ku përfshihen, monitorimi i duhur i kufirit, prezantimi i pasaportave biometrike dhe ndërmarrja e hapave të duhur në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Pritet që Serbia dhe Mali i Zi, të cilat nuk i kanë përmbushur të gjitha kushtet, t‘i realizojnë ato deri në fund të vitit. Një prej vendeve që e ka kundërshtuar liberalizimin e vizave me Serbinë është Holanda, e cila prej kohësh i ka kërkuar Beogradit arrestimin e kriminelëve të luftës, por komisioneri Zhak Barro ka deklaruar se Serbia do të ketë disa avokatë të fortë në tryezë, ndërsa ka theksuar se "nuk do të ndëshkojmë të rinjtë serbe për shkak të sjelljes së keqe të Millosheviçit".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›