Tenton të kryejë vjedhjen e tretë brenda ditës, prangoset i riu
Kryen dy vjedhje dyqanesh brenda pak orësh, kapet teksa tentonte të realizonte vjedhjen e tretë. Burime nga Policia e Shkodrës bëjnë të ditur se dje në mesditë, është arrestuar në flagrancë Ylli Erkovic nga Shkodra. Mësohet se 31-vjeçari ka tentuar të kryejë tri vjedhje brenda pak orësh në vende të ndryshme në Qarkun e Shkodrës, nga të cilat dy ka mundur t‘i realizojë. Megjithëse gjykata kishte vendosur masën e sigurisë "arrest shtëpie" për 31-vjeçarin Ylli Erkovic, pasi akuzohej për veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim, ai jo vetëm ka shkelur vendimin që togat e zeza kishin dhënë pak kohë më parë, por ka tentuar të kryejë tri vjedhje njëra pas tjetrës. Burime nga Policia e Shkodrës thanë se 31-vjeçari Erkovici dyshohet se dje, në orët e para të mëngjesit, ka vjedhur dy dyqane, dhe po në të njëjtën ditë ka tentuar të kryejë vjedhje në një hotel ku dhe është kapur në flagrancë. Policia bëri të ditur se u kryen të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, si dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale sendet e vjedhura tek dyqani në pronësi të një shtetasi nga Shkodra me inicialet K.H.