Godet bashkëfshatarin, procedohet djali i kryekomunarit
Godet me mjete të forta bashkëfshatarin, procedohet penalisht djali i kreut të Komunës Bradashesh. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se ka nisur procedimi penal ndaj 23-vjeçarit Ervi Sollaku, lindur dhe banues në fshatin Bradashesh, rreth 8 kilometra larg qytetit të Elbasanit. Mësohet se i riu është i biri i kreut të komunës dhe shkak për nisjen e hetimeve është bërë dhuna që Sollaku ka ushtruar ndaj një 47-vjeçari, bashkëfshatar me të. Sherri ka nisur pranë një lavazhi afër qendrës së komunës. Burimet policore bëjnë të ditur se dje, rreth orës 14:30, ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të 23-vjeçarit Sollaku. I njëjti burim sqaron se procedimi ndaj të riut ka nisur pasi gjatë një konflikti për motive banale, ai ka goditur me mjete rrethanore 47-vjeçarin, Abdyl Lleshanaku, po nga fshati Bradashesh, duke i shkaktuar dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se konflikti mes tyre kishte nisur në lavazhin para lokalit të Lleshanakut. Nga burime spitalore mësohet se ky i fundit, pas mjekimeve të marra, është jashtë rrezikut për jetën. 23-vjeçari akuzohet për veprën penale të "plagosjes së lehtë me dashje".