E Shtunë, 31 Tetor 2026

Treni i linjës, përplas rëndë pushuesen 17-vjeçare

Aksident i rëndë hekurudhor te vendi i njohur si "Shkëmbi i Kavajës". Një pushuese nga Tirana është përplasur nga treni i pasagjerëve i linjës Tiranë-Vlorë, teksa përpiqej të kapërcente shinat hekurudhore. Ngjarja ndodhi pasditen e së shtunës pranë Shkëmbit të Kavajës, aty ku adoleshentja ka ardhur bashkë me familjen për të kaluar pushimet e verës. E aksidentuara është Liljana Neza, 17 vjeçe, nga kryeqyteti. Makinisti nuk arriti ta shmangë përplasjen me vajzën, e cila nuk ka mundur të llogarisë shpejtësinë me të cilën lëvizte treni dhe kohën që i është dashur të kalojë në anën tjetër të shinave. E dëmtuara është dërguar me urgjencë për në spitalin rajonal të Durrësit, ku i është nënshtruar ndërhyrjeve mjekësore. Burimet spitalore thanë se nuk mund të thuhet asgjë për jetën e vajzës, pasi gjendja e saj është e rëndë. Kjo ka krijuar një situatë të rënduar emocionale në ambientet e spitalit nga familjarët e 17-vjeçares, të cilët e kanë shoqëruar adoleshenten pas aksidentit. Kalimet e paautorizuara mbi hekurudhë vazhdojnë të sjellin aksidente të rënda, viktima dhe të gjymtuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›