Përmbyset autokombajna, plagosen atë e bir
Dy aksidente të rënda kanë ndodhur dje, brenda pak orësh, në afërsi të qytetit të Përrenjasit. Për pasojë dy persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur rëndë. Aksidenti i parë ka ndodhur në aksin rrugor Qafë-Thanë-Përrenjas, në vendin e quajtur "Hunda e Rrajcës", në hyrje të Përrenjasit. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se automjeti tip "Audi", me targa LA 64-47 A, i cili drejtohej nga 49-vjeçari Agim Neziri, me destinacion Tiranën, është përplasur me autobusin me targa KS 8913 L74, i cili nuk kishte pasagjer dhe udhëtonte në drejtim të Kosovës dhe drejtohej nga Shkëlzen Xhafa, nga Mitrovica, Kosovë. Si pasojë e aksidentit ka gjetur vdekjen pa arritur ende në spital 40-vjeçari Ibrahim Samani, i cili ka qenë pasagjer në mjetin tip "Audi". Shkak i aksidentit mendohet të jetë shpejtësia e madhe me të cilën udhëtonte automjeti shqiptar. Rreth dy orë më pas, një tjetër aksident me pasoja për jetën, ka ndodhur shumë pranë vendit ku ka ndodhur ngjarja rrugore e parë. Një autokombajnë ku udhëtonte Nuri Musaraj rreth 45 vjeç dhe i biri, Shkëlqimi është përmbysur. Për pasojë 45-vjeçari ka humbur jetën, ndërsa i biri 19-vjeçar ndodhet në spitalin e Përrenjasit jashtë rrezikut për jetën.