E Diel, 1 Nëntor 2026

Digjet supermarketi, shkak i zjarrit defekti në qarkun elektrik

Shënohet zjarri i parë për këtë verë të nxehtë në Qarkun e Elbasanit. Rasti është shënuar dje në mesditën në qytetin e Librazhdit. Një supermarket në qendër të qytetit është përfshirë papritur nga flakët, të cilat morën përmasa të mëdha në pak minuta. Ndërhyrja e shpejtë e shërbimit të zjarrfikësve ka penguar përhapjen e zjarrit, por nuk ka mundur të shpëtojë mjediset e brendshme të supermarketit në pronësi të 43-vjeçarit, Astrit Xhepi, i cili e kishte marrë me qira këtë objekt. Në pak kohë flakët dogjën një pjesë të madhe të supermarketit duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar në njerëz dhe flakët e zjarrit nuk janë përhapur në objektet e tjera që ndodheshin rreth supermarketit. Për pak minuta u ndërpre edhe qarkullimi automobilistik në rrugën kombëtare Librazhd-Përrenjas, pranë të cilit ndodhej objekti i përfshirë nga flakët. Paraprakisht dyshohet se shkak i zjarrit mund të ketë qenë ndonjë qark i shkurtër elektrik në ambientet e brendshme të supermarketit. Përllogaritjet e para kanë nxjerrë se dëmi i shkaktuar kap shifrën e rreth dy milionë lekëve. Policia është duke hetuar ende për zbardhjen e plotë të ngjarjes.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›