Topalli në Gjenevë: Të ftohet edhe Parlamenti i Kosovës
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka marrë pjesë në Komitetin përgatitor për Konferencën Botërore të Kryetarëve të Parlamenteve nga 186 vende të botës, që pritet të mbahet vitin e ardhshëm. Në këtë takim Shqipëria merr pjesë për herë të parë. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, së bashku me Francën, Finlandën, Austrinë dhe Spanjën përfaqësoi parlamentet europiane në këtë komitet, ku ishin përzgjedhur 20 drejtues parlamentesh nga e gjithë bota. Gjatë takimit të Gjenevës, i organizuar nga Unioni Ndërkombëtar i Parlamenteve, u hodh ideja e bashkëpunimit më të ngushtë mes Unionit dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke parë mundësinë edhe të krijimit të Asamblesë Parlamentare pranë OKB-së. Në një nga ndërhyrjet e saj gjatë takimit të Gjenevës, Topalli kërkoi që Parlamenti i Kosovës të bëhet sa më parë pjesë e kësaj organizate dhe që vitin e ardhshëm të mundësohet prania e Kryetarit të Parlamentit të Kosovës në Konferencën III Botërore të Kryeparlamentarëve. Çështjen e Kosovës Topalli e ngriti edhe në takimet dypalëshe me homologët e saj të Brazilit, Afrikës së Jugut dhe Indonezisë, shtete me ndikim në kontinentet e tyre, të cilët ende nuk e kanë njohur Kosovën. Gjatë takimeve dypalëshe, përveç diskutimeve për nxitjen e bashkëpunimit mes parlamenteve, Topalli evidentoi Shqipërinë si vend tërheqës dhe të sigurt për investime ekonomike me interes të dyanshëm.