Berisha: Vizat, brenda vitit të parë të mandatit të dytë
Kryeministri Berisha premtoi dje liberalizimin e vizave brenda një viti nga mandati i dytë. Gjatë një takimi me të rinjtë e qytetit të Vlorës, kreu i qeverisë premtoi investime të shumta në arsim si dhe shtim të fondeve për këtë qytet. "Ju do të lëvizni si të gjithë të rinjtë e Evropës, ndër më të bukurit, ndër më të diturit. Liberalizimi i vizave brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë është objektivi ynë, është premtimi ynë dhe ne do ta mbajmë atë", u shpreh dje Berisha. "Shqipëria është sot kantier ndërtimi nga Konispoli në Valbonë, nga Morina e Kukësit, në Qafë Plloçë, në Levan, në Vjosë e kudo. Vlora së shpejti do të nisë punimet për njërin prej porteve më të mëdha të Mesdheut, port i cili punëson jo më pak se 50 mijë qytetarë të Vlorës dhe të mbarë Shqipërisë. Në këto vite janë firmosur me dhjetëra kontrata, të cilat punësojnë dhjetëra e mijëra punëtorë, specialistë, ekspertë. Ndaj dhe ne do të punojmë me përkushtim, do të bëjmë çdo gjë për punësimin tuaj, derisa dhe një i ri i vetëm të ketë nevojë për punë në Shqipëri", vijoi më tej kreu i qeverisë. Berisha u shpreh më tej gjatë fjalës së tij, se mandati i ardhshëm i Partisë Demokratike do të jetë i fokusuar në investimet në arsim. Sipas tij, gjatë këtyre katër viteve u bë i mundur trefishimi i numrit të studentëve, ndërkohë që premtoi se në katër vitet e ardhshëm numri i tyre do të shkojë nga 150 mijë në 160 mijë. Ai shtoi se nuk do të ketë asnjë nxënës që mbaron shkollën e mesme dhe të mos vazhdojë gjimnazin. Ndërkohë gjatë një interviste të dhënë për "NETV" të 'New Europe', gjatë kongresit të PPE të mbajtur në 30 prill, në Varshavë, kreu i qeverisë tha se anëtarësimi në BE do të bëhet më shpejt nga sa ai e ka parashikuar. "Vendi im po modernizon infrastrukturën. Në tre ose katër vjet, Shqipëria do të ketë totalisht rrugë dhe infrastrukturë të re. Ne po shkojmë drejt zgjedhjeve të reja; qëllimi im madhor janë zgjedhje të lira dhe të drejta. Dhe respektimi i çdo verdikti të vendit tim, kam shumë besim se ata do të votojnë për të ardhmen, ata do të votojnë për projektin që do të kthehet në realitet. Kalendari im është: puna e madhe për të përmbushur kriteret, standardet, normat. Përsa i përket datës, jam thellësisht i bindur që kurrë nuk do të ndodhë aq shpejt sa do të dëshiroja unë, por do të ndodhë më shpejt se e kam parashikuar unë", theksoi kreu i ekzekutivit.
5 Maji
Presidenti Bamir Topi dhe Kryeministri Sali Berisha do të jenë së bashku sot në ceremoninë shtetërore me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve. Zyrat e shtypit të këtyre dy institucioneve bënë të ditur dje se kreu i shtetit dhe kreu i qeverisë do të jenë në orën 10:00 në Varrezat e Dëshmorëve, ku do të vendosin nga një kurorë me lule. Gjatë paradites pritet që edhe opozita të bëjë homazhe me rastin e kësaj dite. Ndërkohë kreu i qeverisë veç vizitës në Varrezat e Dëshmorëve ka parashikuar edhe një takim në familjen e Azem Hajdarit. Për të disatin vit radhazi, Berisha paralelisht me homazhet në varreza zhvillon takim edhe në shtëpinë e liderit të dhjetorit. Në të njëjtën kohë, rreth orës 10:40, kreu i Ekzekutivit do të zhvillojë një takim në familjen Buzi. Gjatë mesditës Berisha pritet të marrë pjesë edhe në ceremoninë që do të zhvillohet në Durrës me rastin e nisjes së punimeve në rrugën e Porto Romanos, në Spitallë.