Meksi pranon ofertën, do drejtojë “Polin e Lirisë”
ADI SHKEMBI
Ish-kryeministri Aleksandër Meksi do të udhëheqë koalicionin “Poli i Lirisë” në fushatën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Burime pranë këtij grupimi politik bëjnë të ditur për gazetën “Panorama”, se Meksi ka pranuar ofertën për të marrë drejtimin e tij. Gjatë paradites së sotme pritet që kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka dhe kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, të prezantojnë ish-kreun e qeverisë së parë të djathtë pas rënies së regjimit komunist në krye të lëvizjes së tyre. “Zoti Meksi ka pranuar ofertën për të qenë kryetari i Polit të Lirisë dhe prezantimi i tij do të bëhet nesër (sot) në orën 11:00 gjatë një konference për shtyp”, thanë burimet pranë Polit gjatë një prononcimi për gazetën. Por në të njëjtën kohë, ish-kryeministri, i cili falë statutit të Partisë Demokratike është ende anëtar i Këshillit Kombëtar të kësaj partie, ka pranuar edhe një ofertë tjetër. Kështu bëhet e ditur se Aleksandër Meksi do të jetë kandidati i parë për deputet nga lista e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar në qarkun e Tiranës. Gjatë ceremonisë së sotme pritet të zyrtarizojë bashkimin me Polin edhe ish-ministri i Jashtëm i kabinetit “Meksi”, Alfred Serreqi, Maksim Konomi dhe Kreshnik Gjongecaj. Në fakt, kandidimin e tij në zgjedhjet e 28 qershorit e paralajmëroi dy ditë më parë gjatë një deklarate për gazetën kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi. Madje, ai pranoi të renditet i dyti në Tiranë nëse Meksi do të pranonte ofertën për të hyrë në garë. “Besoj që zoti Meksi do të jetë i pari në listën e LZHK-së në qarkun e Tiranës. Ne pretendojmë të marrim 2-3 deputetë në këtë qark dhe Meksi është një personalitet në kryeqytet. Nëse ai do të pranojë të hyjë në garë, gjë e cila do të vendoset gjatë një takimi që ne mund të kemi të martën, unë do të pranoja të isha i dyti i LZHK-së në Tiranë”, u shpreh dy ditë më parë kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi. Numri i madh i deputetëve në Tiranë dhe pragu i ulët, rreth 3.1 për qind, bën që mundësitë që ish-kryeministri të rikthehet në jetën parlamentare të jenë të mëdha. Për sa i përket listës së kandidatëve për deputetë, Shehi tha se disa prej figurave që po përfshihen në Polin e Lirisë duhet të futen në garë, duke u shprehur i hapur që ata të futen nga lista e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar. Ndërkohë deri tani është vendosur që Gilman Bakalli të jetë i pari në listën e Shkodrës për LZHK-në. Nga ana e saj PDK-ja ka përcaktuar emrat e kandidatëve për deputetë në 10 qarqe të vendit, ku bie në sy emri i parë në listë në Durrës, ish-anëtari i KOP-it të krijuar nga PD-ja, Apollon Baçe.