Ura e Mesit, monumenti që zhgënjen turistët
SHKODER/ RIDVAN DIBRA
Ura e Mesit, monument kulture dhe simbol i qytetërimit të lashtë, është kthyer në vatër mbeturinash. Turistët e huaj dhe ata vendas mbeten të zhgënjyer pas vizitës në këtë objekt që mban vlera të rralla. Ndonëse kjo urë është në varësi të monumenteve të kulturës, askush nuk është kujdesur për ta restauruar. Vendorët e komunës Postribë nuk kanë marrë asnjë masë të paktën për të ndaluar hedhjen e plehrave nga banorët e fshatit Mes. Megjithëse kjo urë është një nga veprat më të mëdha të kulturës në Shkodër, ambienti në hyrje të saj nuk është aspak i denjë për një monument të tillë. Mbeturina urbane të shumta, janë hedhur pikërisht në anë të rrugës, nga ku vizitori hyn për të parë urën nga afër. Veçse mbeturinave, në asnjërin krah të urës nuk ka një tabelë që të tregojë emërtimin e vitin kur është ndërtuar. Jo rrallë herë, mbi urën e vjetër monument kulture sheh njerëz me kafshë të ngarkuara që kalojnë mbi të. Sipas drejtorit Rajonal të Monumenteve të Kulturës në Shkodër, Ervin Gjini, një muaj më parë është biseduar me drejtuesit e komunës së Postribës, për të vendosur një rrjetë me qëllim që të pengojnë lëvizjen e banorëve dhe hedhjen e mbeturinave, por deri më tani ende nuk është bërë asgjë konkrete. Duke qenë një monument me vlera të mëdha arkitektonike e teknike, kjo urë është një objekt që tërheq vizitorë të shumtë. Është e gjatë 108 metra, e gjerë 3.40 metra dhe me 13 harqe jo simetrike. Për ndërtimin e saj janë përdorur gurë të latuar, ndërsa traseja është bërë me pllaka guri ku çdo një metër ngrihen 5 cm rreshta tërthorë që i japin kurrizit trajtën e shkallarës. Vlerat e kësaj ure shtohen dhe nga terreni piktoresk pranë saj me shkëmbinj dhe ujin e kulluar të Kirit. Së bashku me kalanë e Rozafës, ato janë monumentet e kulturës më simbolike të Shkodrës të pranishme në telajot e piktorëve, studio fotografike, në punime artistike në bakër, dru, pëlhurë etj.