E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i BE-së: “Ekonomia e eurozonës do të tkurret edhe gjatë 2010-s”

Rënia e ekonomisë europiane do të zbresë edhe me 4 për qind. Parashikohet rritje e papunësisë në eurozonë në 11,5 për qind

Ervin KOÇI

Ekspertët e ekonomisë europiane e shikojnë akoma me skepticizëm dhe aspak optimiste të ardhmen e afërt të ekonomisë së eurozonës. Parashikimet dhe përllogaritjet e tyre për ecurinë ekonomike gjatë këtij viti dhe gjatë vitit 2010 kanë bërë që përllogaritjet e mëparshme të korrigjohen. Për këtë arsye ekspertët e ekonomisë europiane, në një raport të fundit ekonomik të publikuar dje, bëjnë të ditur se vendet e BE-së do të pësojë një tkurrje prej 4 përqindësh këtë vit, shumë më tepër se parashikimi. Komisioni Europian ndërkohë ka rishikuar parashikimin e bërë më parë nga komisioneri për Ekonominë dhe Çështjet Monetare, Joaquin Almunia, që ka vlerësuar se rimëkëmbja do të ndodhë në vitin 2010. “Përkeqësimi i krizës ekonomike globale, rënia e niveleve të tregtisë dhe ajo e vlerës së shtëpive, ka nxitur tkurrjen”,- deklaroi komisioneri. Ai shtoi se, “rimëkëmbja e ekonomisë nuk do të nisë deri në gjysmën e dytë të vitit tjetër”. Almunia parashikon edhe rritje të papunësisë në eurozone në 11,5 për qind në vitin 2010.

Raporti

Studimi i më i fundit që vjen prej Bashkimit Europian për parashikimet në fushën ekonomike, i paraqet vendet që përdorin euron si monedhë zyrtare me një të ardhme më të zymtë sesa parashikohej në fillim të vitit 2009. Shifrat e reja tregojnë se Komisioni Europian ishte shumë optimist kur parashikoi se ekonomitë e eurozonës do të tkurreshin vetëm me dy për qind gjatë këtij viti dhe do të shënonin një rritje të lehtë vitin e ardhshëm. Shifrat e rishikuara e kanë vendosur tkurrjen e ekonomive në shkallën 4 për qind dhe nuk parashikon rritje ekonomike për vitin e ardhshëm (2010). Kjo ka ndodhur menjëherë pas lajmit të mirë që mbërriti para pak ditësh nga Grupi i të Shtatëve se “kriza ekonomike ka filluar të zbutet”. Por kjo duket se kjo nuk qenka dhe aq e vërtetë për Evropën. Ministrat e financave të 7 vendeve më të industrializuara në botë vlerësuan para pak ditësh se ka shenja që tregojnë se rënia ekonomike globale ka filluar të zbutet. Gjatë një takimi të mbajtur në Uashington D.C., ata parashikuan një rigjallërim të dobët që do të jetë i dukshëm gjatë muajve të ardhshëm. Megjithatë, ata u zotuan dhe premtuan angazhimin e tyre për të punuar së bashku për ta nxjerrë botën nga recesioni.

Masat

Europianët duhet të bashkërendojnë veprimet përpara se të marrin një masë të re për nxitjen e ekonomisë përballë recesionit më të rëndë që prej vitit 1945, për të mos përsëritur katastrofën e fundvitit 2008. Sipas komisionerit europian për Çështjet Ekonomike, Joaquin Almunia, nuk është e momentit të përmendim planet e reja për nxitjen e ekonomisë. “Drejtuesit europianë do të ‘analizojnë’ përshtatshmërinë e përpjekjeve të reja gjatë samitit të tyre të ardhshëm në qershor dhe do të shohim nëse do të nevojiten masa shtesë”,- deklaroi ai në një konferencë shtypi. Deri tani, gama e masave koniunkturale të njoftuara është vlerësuar nga Komisioni në rreth 400 miliardë euro për vitet 2009 dhe 2010 në BE. "Nuk mund të themi akoma nëse do të nevojiten apo jo disa masa shtesë, sepse është akoma shumë herët për të mësuar se cilat do të jenë pasojat pozitive të masave të marra gjatë muajve të fundit",- shtoi ai. "Por në rast se do të nevojiten masa shtesë, besoj se është plotësisht e qartë se ato duhet të jenë të bashkërenduara në nivel europian përpara vendimeve në nivel kombëtar",- deklaroi komisioneri. Europianët ranë dakord në dhjetor për të bashkërenduar masat e tyre për nxitjen e ekonomisë përballë recesionit, por ata vepruan gjerësisht në mënyrë të veçuar, britanikët zgjodhën për shembull uljen e vlerës së TVSH-së, kur vende të tjera si Gjermania apo Franca preferuan të mbështesin projekte për investime. Fondi Monetar Ndërkombëtar kritikoi së fundi mungesën e bashkëpunimit mes tyre në administrimin e krizës. "Bashkërendimi që nuk është vërejtur në muajin dhjetor, duhet të jetë një kusht i domosdoshëm kur të vijë rasti",- theksoi Almunia. Megjithatë, ai paralajmëroi se për shkak të thellimit të deficiteve evropiane përballë krizës, "kuadri i manovrës është shteruar në shumicën e vendeve tona", për të marrë masa të reja për rimëkëmbjen e buxheteve.

5 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›