Shëndetësia, Meta: Prioritet i LSI, pajisja me teknologjinë moderne
Kryetari i LSI Ilir Meta ishte dje në Spitalin rajonal të Durrësit. “Programi qeverisës i LSI do t’i kushtojë shëndetësisë një vëmendje prioritare, sidomos në teknologjinë e saj, të cilat janë tepër të domosdoshme për mjekimin e të sëmurëve në vendin tonë dhe jo duke ikur në spitale jashtë, gjë që është mjaft e vështirë për nivelin e të ardhurave të qytetarëve të thjeshtë shqiptarë”, tha Meta. Spitali rajonal i Durrësit është një investim i bërë 8 vjet më parë, kur Meta ishte Kryeministër dhe është i dyti për nga rëndësia në Shqipëri, pas Qendrës Spitalore në Tiranë. Në këtë vizitë Meta shoqërohej nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili dhe nga kandidatët për deputetë në Durrës, Lefter Koka dhe Artur Zheji. Kreu i LSI takoi dhe bashkëbisedoi me mjekë dhe pacientë, të cilët ndodhen të shtruar në këtë spital. Meta dëgjoi nga afër ankesat e të sëmurëve për ilaçet, të cilat janë jo vetëm të shtrenjta, por që jo të gjitha i ofron spitali, sikurse dhe vështirësitë që ndeshin bluzat e bardha për shkak të mungesës së pajisjeve tepër të domosdoshme për diagnostikimin e pacientëve. Duke pohuar se ka ende shumë kërkesa për të ofruar shërbimet e nevojshme dhe të shpejta në këtë spital modern, Meta shprehu angazhimin e LSI që spitali i Durrësit të pajiset me aparatura moderne të domosdoshme, siç është skaneri, i cili mungon apo rezonanca magnetike. “Të vjen keq, u shpreh Meta, që edhe pas 8 vitesh të gjitha spitalet shtetërore në vend kanë vetëm një rezonancë magnetike. Diagnostikimi i shpejtë, i saktë dhe i thelluar është i domosdoshëm, si për të parandaluar sëmundje të ndryshme, ashtu dhe për të realizuar ndërhyrje të shpejta në shërbim të shëndetit të qytetarëve”, tha Meta. Kreu i LSI theksoi se pas fitores më 28 qershor, programi qeverisës i LSI do t’i kushtojë shëndetësisë një vëmendje prioritare, sidomos në teknologjinë e saj, të cilat janë tepër të domosdoshme për mjekimin e të sëmurëve në vendin tonë dhe jo duke ikur në spitale jashtë, gjë që është mjaft e vështirë për nivelin e të ardhurave të qytetarëve të thjeshtë shqiptarë.