E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Vizat jo problem politik, por çështje teknike

 

Kryeministri Sali Berisha tha dje se për liberalizimin e vizave mes Shqipërisë dhe BE-së nuk ka probleme politike, por vetëm teknike. Gjatë qëndrimit në Nju Jork, në një intervistë për TVSH-në, kreu i ekzekutivit theksoi nevojën e pajisjes së qytetarëve me pasaportat biometrike, teksa shtoi se vendet fqinje kanë qenë përpara nesh në këtë drejtim. “Ka një axhendë për vizat, e cila po zhvillohet sipas përcaktimeve të përbashkëta mes Shqipërisë dhe KE-së. Ne po ecim me pasaportat biometrike. Nuk mund të mohohet që ne kemi qenë më mbrapa se fqinjët tanë me këto dokumente që janë shumë të rëndësishme. KE ka tendencë ta vlerësojë dhe jo ta injorojë këtë. Jam optimist se nuk ekzistojnë më probleme politike, janë teknikalitete që kërkojnë të zgjidhen dhe brenda vitit të parë të merret vendimi”, u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë ka marrë dje një mesazh urimi nga Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel. “Ju jeni vënë në krye të kësaj detyre në një periudhë të rëndësishme për vendin Tuaj. Ne arritëm të realizojmë anëtarësimin e vendit Tuaj në NATO në muajin prill, pikërisht në kohën e organizimit të Samitit të NATO-s në Gjermani dhe Francë. Unë Ju uroj Ju dhe bashkëqytetarëve Tuaj të keni forca të mëtejshme për reformat e nevojshme në funksion të vijimit të suksesshëm të procesit të përafrimit euroatlantik. Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm Shqipërinë në këtë rrugë edhe në të ardhmen”, tha Merkel. Në Nju Jork kreu i qeverisë mori pjesë në mbylljen e bursës amerikane Nasdaq, ndërkohë që sot pritet të mbajë fjalimin në asamblenë e përgjithshme të OKB-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›