Mashtroi 4 tregtarë, kapet i riu
TIRANE - Një 27-vjeçar, që hiqej sikur kishte probleme shëndetësore dhe mashtronte biznesmenët në Tiranë, është arrestuar dje nga oficerët e Antikrimit Ekonomik. Policia e Tiranës ka ekzekutuar urdhrin e ndalimit të lëshuar nga Prokuroria ndaj Ardian Vilës, lindur në fshatin Zboq, Korçë dhe banues në Tiranë. Burime nga policia thanë se ndalimi i të riut u krye pasi dyshohet se nga muaji janar deri në maj të këtij viti, ka mashtruar duke iu marrë shumën prej 6.5 milionë lekësh të vjetra dhe nuk ua ka kthyer më katër biznesmenëve të ndryshëm në kryeqytet. Sipas policisë, 27-vjeçari u merrte para biznesmenëve me pretekste të ndryshme, falë njohjeve me ta dhe kryesisht duke pretenduar se paratë i duheshin për t’u kuruar. Por mashtrimi i të riut është kuptuar nga biznesmenët vetëm pasi ai nuk ua ka kthyer më paratë dhe më pas e denoncuan në polici. Antikrimi Ekonomik nisi hetimet për këtë rast dhe dje i riu u vu në pranga.