E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samiti i G-20, fitore personale e Obamës

Prof. Dr. ANASTAS ANGJELI 

Me gjithë sinjalet pozi-tive për fillimin e rigjallërimit të ekonomisë globale, angazhimi i “aleancës ndërkombëtare antikrizë” nuk ka reshtur. Shqetësimi dhe “frika” ndaj pasojave, pse jo dhe ndaj mundësisë së rikthimit të fenomeneve të krizës globale, jo vetëm që nuk kanë kaluar, por ato vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes së vendeve me ekonomitë më të forta të planetit, qeverive, liderëve të tyre dhe organizmave ndërkombëtare. Këtë e dëshmoi edhe Samiti i Pitsburgut, i cili mblodhi për dy ditë, liderët e G-20, në takimin e tyre të tretë brenda këtij viti për të analizuar situatën e ekonomisë globale dhe kryesisht zbatimin e zotimeve të marra në muajin prill, veçanërisht për rregullimin e sistemit financiar ndërkombëtar
Para Samitit të G-20 në Pitsburg
Me një axhendë të përcaktuar qartë, që nga marrja e përgjegjësive nga të gjithë anëtarët, sipas filozofisë, “krizave dhe sfidave globale duhet t’u përgjigjemi në formë globale”, vazhdimin apo jo të ndërhyrjes shtetërore në ekonomitë e vendeve të prekura nga kriza, forcimin e mbikëqyrjes së sistemit financiar dhe reduktimin e bonuseve bankare dhe eliminimin e “parajsave fiskale”, deri te reformimi i FMN-së, para fillimit të tij, edhe ky samit nuk i shpëtoi dot hamendësive, debateve dhe kundërshtive. Padyshim që në qendër të këtyre debateve, ishin si qëndrimi i fortë i Presidentit amerikan, Barak Obama për vazhdimin e përballjen me krizën globale, ashtu dhe për suksesin apo dështimin e këtij samiti, si për rritjen e rolit të disa vendeve (Kina, India, Brazili) në Këshillin Administrues të FMN-së, e deri te supozimet nga më të ndryshmet…, pse ky samit në Pitsburg…?  Në fakt, para zhvillimit të këtij Samiti të G-20, Presidenti Obama u pati deklaruar liderëve të tjerë (në zhvillimin e punimeve të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara) se ekonomia globale nuk mund të bazohet vazhdimisht duke marrë borxh nga shtete si SHBA dhe duke eksportuar në mënyrë masive nga vende si Kina. Ai tha se kombet dhe shtetet e tjera nuk duhet të presin nga SHBA që të zgjidhë të gjitha problemet. Eshtë koha që të gjithë të mbajmë përgjegjësitë tona dhe t’i përgjigjemi në mënyrë globale sfidave globale. Gjithashtu, ditë më parë, në fjalimin e tij në Wall Street, Presidenti Obama pati deklaruar se ndërhyrja shtetërore në ekonominë amerikane (në rang federal) duhet të vazhdojë, ndonëse për një kohë më të shkurtër dhe në masë më të vogël.
Veç kësaj, komentet dhe hipoteza të ndryshme para zhvillimit të Samitit patën burim disa qëndrime të forta të shprehura nga vendet europiane, veçanërisht nga Franca (Sarkozi) dhe Gjermania, sidomos për çështjen e bonuseve bankare dhe rolin e ndërhyrjen në ekonomi. Por të gjitha këto nuk zgjatën më shumë se dy ditë. Samiti i G-20 në Pitsburg zhvilloi punimet dhe po i përfundon ato, pse jo me sukses. Dilemat dhe hamendësitë për dështime u shuan.
G-20, tashmë një organ i ri këshillimor dhe koordinues
Përfundimi i Samitit të G-20 dhe vendimet e marra në të, pritet të konsiderohen jo vetëm një fitore personale e Presidentit Obama, por edhe një sukses i “aleancës globale antikrizë”. Kjo u demonstrua jo vetëm nga fryma dhe konstruktiviteti i zhvillimit të këtij Samiti, por veçanërisht nga vendimet konkrete, realiste dhe efektive që u morën në to, veçanërisht në këto drejtime:
Së pari, Marrëveshje për ndryshime në FMN (Fndi Monetar Ndërkombëtar)
 Liderët e G20 vendosën që ta shndërrojnë FMN-në në një institucion me reprezentativ, pra me përfaqësues duke rritur fuqinë e votës së vendeve që për një kohë të gjatë kanë qenë të nënpërfaqësuara (under represented) në këtë institucion. Bëhet fjalë për një lëvizje votash prej 5% nga vendet e industrializuara për vendet në zhvillim. Deri tani ndarja e votave ishte e një shkalle 57 me 43% në favor të vendeve të zhvilluara. Me ndryshimin, ndarja e votave i afrohet shkallës 50-50. Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barrozo, u shpreh: “Arritëm në një marrëveshje për reformimin e FMN-së për t’u dhënë vendeve të nënpërfaqësuara më shumë të drejta në qeverisjen e institucionit”.
Ky vendim reflekton qartë që tashmë SHBA dhe Europa e kanë marrë në konsiderim realitetin  e ri ekonomik botëror dhe rëndësinë që kanë ekonomitë e reja emergjente, veçanërisht pas krizës së madhe, e cila goditi më shumë vendet e zhvilluara se sa vendet në zhvillim. (Këtu veçanërisht është vlerësuar kërkesa dhe qëndrimi i Kinës, Indisë, Brazilit etj.). Nga ana tjetër, kjo tregon se roli i FMN-së në ekonominë globale (jo vetëm për përballimin e krizës aktuale) ishte dhe mbetet shumë i rëndësishëm, sidomos në mbikëqyrjen e politikave ekonomike në ekonominë globale.
Së dyti, Sigurimi i likuiditeteve, kufizimet në bonuset (shpërblimet) dhe goditja ndaj “parajsave fiskale”.
Jashtë vëmendjes së këtij samiti nuk mund të mbetej problemi i qëndrueshmërisë së sistemit financiar ndërkombëtar, kthimi në normalitet i situatës në tregjet financiare, sigurimi i likuiditeteve në këto tregje dhe ulja e risqeve tek investimet ndërkombëtare.
Liderët e G20 u afruan në një  marrëveshje për kufizimin e bonuseve për drejtuesit e lartë të sistemit financiar, duke kërkuar “Kufizimin e bonuseve (shpërblimeve) në një përqindje neto të fitimit të institucioneve bankare kur kërcënohet niveli i shëndetshëm i kapitalit”. (Këtu u konsiderua, sidomos qëndrimi europian, veçanërisht ai i Presidentit francez Sarkozi). Nga ana tjetër, jo më pak interes u prit edhe diskutimi i fillimit të zbatimit të “eliminimit të parajsave fiskale” në disa vende (hapja e llogarive bankare në Zvicër) etj.
Së treti, shndërrimi i G20 në një organ të ri këshillimor dhe koordinues.
Gjithashtu, një vendim tjetër shumë i rëndësishëm, që pritet të arrihet në Samitin e G20 në Pitsburg, është edhe ai i shndërrimit të tij në një organ të ri këshillimor, i cili do të funksionojë si sintonizues për bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar, duke reflektuar kështu një rend të ri ekonomik botëror, ku ekonomi të tilla si ajo e Kinës ose Indisë janë shumë më të konsiderueshme. Me këtë hap vendet e G20 dëshmojnë se janë të vendosura të vazhdojnë bashkëpunimin dhe pas tejkalimit të krizës. (G20 u shndërrua nga një forum i nivelit ministror në një forum të nivelit presidencial {leaders-level} vetëm vitin e kaluar për shkak të krizës).
Konkluzion:
A-Pavarësisht nga debatet dhe kundërshtitë, përgjithësisht, mund të thuhet se Samiti i G20 i përfundoi me sukses punimet e tij dhe dëshmoi vendosmërinë e tij për përballjen deri në fund me krizën globale dhe pasojat e saj.
B-Marrëveshjet e arritura në Samitin e G-20 në Pitsburg, mund të konsiderohen si një fitore personale e Presidentit amerikan Barak Obama, i cili që nga momenti i ardhjes në pushtet ka kërkuar ndryshimin e strukturës financiare botërore dhe njohjen e rëndësisë që kanë ekonomitë e reja emergjente si p.sh. ajo e Kinës. Më e rëndësishme politikisht për administratën Obama është arritja e ndryshimit të përqindjes së votave të shkallës 5% në favor të vendeve në zhvillim, një ndryshim i propozuar nga amerikanët dhe i miratuar shumë shpejt nga evropianët, pavarësisht se kjo ishte një çështje shumë sensitive për ta, sepse Europa do të ketë humbjen më të madhe për sa i takon përqindjes se votave.
C- Shqipëria dhe ekonomia e saj duhet të jenë më refrektare ndaj pasojave dhe ndikimit të krizës globale, veçanërisht në ekonominë reale, sistemin financiar e monetar dhe në pasojat sociale që janë krijuar. Në veçanti, nisur nga fryma dhe vendimet e G20 në këtë Samit, është koha që Shqipëria të rishikojë qëndrimin dhe raportet e saj me FMN-në, duke tentuar drejt një marrëveshjeje të re me të.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›