Basha-Bajrami:Bashkëpunim për reformat
TIRANE - Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, priti dje në një takim Ministrin e Administratës Publike të Kosovës, Arsim Bajrami, dhe delegacionin që e shoqëronte. Basha vlerësoi stadin e tanishëm të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e shkëmbimit të përvojave për mirëfunksionimin dhe fuqizimin e administratës publike në të dy vendet, e ndërkohë theksoi nevojën e shtrirjes së këtij bashkëpunimi në të gjitha nivelet me qëllim përfitimin e përvojave të dyanshme. Një vëmendje të veçantë gjatë bashkëbisedimit, ministri Basha i kushtoi reformave të qeverisë shqiptare për një qeverisje të vogël, moderne, të përballueshme për taksapaguesit shqiptarë, çka sjell uljen e shpenzimeve dhe kostove të panevojshme, përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe në mënyrë të veçantë rritjen e transparencës ndaj publikut. Ai rikonfirmoi në takim si një prioritet të rëndësishëm të qeverisë Berisha, njehsimin e standardeve dhe praktikave mes Shqipërisë dhe Kosovës.