Gërdeci, 26 padi Fatmir Mediut
Familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit thanë dje se do të depozitojnë në Prokurori 26 padi penale ndaj ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, aktualisht Ministër i Mjedisit.Avokatja që mbron familjarët e viktimave të Gërdecit, Blerta Kraja, tha se kallëzimet penale do të dorëzohen në prokurori ditën e hënë. Të afërmit e 26 personave që gjetën vdekjen, si pasojë e shpërthimit në Gërdec, ishin dje të pranishëm në një takim të organizuar me përfaqësues të shoqërisë civile dhe me avokaten e tyre, për të diskutuar strategjinë e rihapjes së çështjes. Në orët e mëngjesit familjarët e 26 viktimave paralajmëruan protesta, nëse drejtësia nuk vepron me gjykimin e dosjes së tragjedisë së Gërdecit. Më pas, në një takim me përfaqësues të shoqërisë civile, avokatja e të dëmtuarve nga tragjedia, prezantoi strategjinë për të mbrojtur interesat e familjarëve të viktimave në gjyqin që po zhvillohet ndaj 19 të akuzuarve në Gjykatën e Tiranës. Në këtë prezantim, avokatja Kraja renditi nismën për 26 kallëzime të reja në adresë të Fatmir Mediut dhe tetë personave të tjerë. Në emër të personave të afërm të viktimave, avokatja tha se ditën e hënë do t’i drejtohet prokurorisë, me kallëzimet penale për secilin nga viktimat duke kërkuar rihapjen e hetimeve ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Ankesat në Kushtetuese e Strasburg
Krahas me kallëzimet penale në prokurori, avokatja e familjarëve të viktimave të Gërdecit tha dje se strategjia e saj përfshin edhe një ankesë në Gjykatën Kushtetuese, si dhe një padi në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Sipas Krajës, familjarët e viktimave do të bëjnë ankesë në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila pak ditë më parë vendosi pushimin e gjykimit për ish-ministrin Mediu, për shkak se ai fitoi një mandat të ri imuniteti, si deputet në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009. Duke e konsideruar vendimin e Gjykatës së Lartë antikushtetues, përfaqësuesja e familjarëve të viktimave tha se do t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese shqyrtimi i çështjes. Ndërkohë një padi tjetër do të bëhet në Gjykatën e Strasburgut, kundër Gjykatës së Lartë. Padia në Gjykatën Evropiane mësohet se do të bëhet për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Lartë në Tiranë, e cila pushoi gjykimin e Mediut në dosjen Gërdeci, pa kaluar fare në seancë gjyqësore.
Viktimat
Familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit duket se kanë një provë të fortë në tentativën e tyre për rihapjen e çështjes Gërdeci. Hetimi i parë i zhvilluar nga Prokuroria, i cili u mbyll në Gjykatën e Lartë për Mediun, ndërsa vazhdon në Gjykatën e Tiranës për 28 zyrtarë të tjerë, të akuzuar për shpërdorim detyre, provoi me akte autopsie se 26 persona vdiqën si pasojë e shpërthimit në fabrikën e çmontimit të municioneve në Gërdec. Vërtetimi për vdekjen e personave mësohet se do të përfshihet në paditë e reja që do të bëjnë familjarët e viktimave kundër Mediut, pronarit të fabrikës Mihal Delijorgji, drejtorit Dritan Minxolli dhe gjashtë personave të tjerë, të akuzuar edhe më parë nga Prokuroria. re.kr
“Shkarkim anëtarëve të Gjykatës së Larte”
Juristi Ylli Manjani, pjesë e tryezës së djeshme, kërkoi shkarkimin nga detyra të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë që pushuan gjykimin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Mediu. Sipas Manjanit, ata duhet të shkarkohen, pasi kanë shkelur Kushtetutën. “Ne kemi një gjykatë skandaloze, të cilës iu deshën gjashtë muaj për të dhënë verdiktin e saj në një fjali me 18 fjalë. Në bazë të ligjit, gjykata duhet të japë vendimet e arsyetuara, jo një fjali. Gjyqtarët e gjykatës më të lartë në vend, paguhen më shumë sesa çdo zyrtar në administratë dhe japin vendime me një fjali”, u shpreh Manjani. Sipas tij, “Ata gjyqtarë që kanë shkelur Kushtetutën, duhet të shkarkohen sipas Kushtetutës”.