Kufiri detar me Greqinë, miratohet pakti
BLEDAR HOTI
Komisioni Parlamentar i Ligjeve miraton marrëveshjen e firmosur në muajin prill nga ministrat e jashtëm, Lulzim Basha dhe Dora Bakojanis, që ndan kufirin detar të Shqipërisë me Greqinë. Projektligji“Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe të zonave të tjera detare, që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare” është shqyrtuar nga komisioni pa praninë e opozitës, e cila ka bojkotuar Parlamentin. Mungesa e socialistëve duket se ka lehtësuar punën e 11 deputetëve të maxhorancës për të miratuar ndarjen e re kufitare, nëpërmjet hartës që përcakton vijën e re përmes 150 koordinatave. Pro kësaj marrëveshje ka votuar edhe deputeti i LSI-së, Nasip Naço. Përfaqësuesja e Ministrisë së Jashtme, Ledia Hysi, tha se parimi bazë i përdorur është bashkëlargësia, pra përcaktimi i një vije ndarëse me largësi të njëjtë nga të gjitha pikat bazë të shteteve bregdetare. “Për negocimin e kësaj marrëveshje ne i jemi referuar praktikës së pothuajse të gjitha vendeve që kanë marrëveshje për ndarjen e shelfit ose detit territorial. Asnjëherë kufiri detar nuk ka qenë i përcaktuar me Greqinë dhe të Republikës së Shqipërisë deri në 12 milje. Kuptohet që kjo ka qenë para se konventa e Montego Bay-të të hynte në fuqi. Me hyrjen në fuqi të konventës së Montego Bay-it, ku deti territorial ka qenë i përcaktuar jo më shumë se 12 milje, po të pa deklaruar pranë OKB”, tha Hysi. Ndërsa theksoi se “me Greqinë në kanalin e Korfuzit është shumë e vogël, rreth tetë milje, që i bie në zbatim të parimeve të Konventës do të jetë 4 milje nëse e ndajmë përgjysmë”. “Kjo gjithmonë ka qenë një praktikë dhe e zbatuar. Por kjo e pashkruar, jo ligjërisht e pranuar, ngaqë ka qenë një nga parimet e përgjithshme. Kjo është hera e parë që përcaktohet kufiri detar ndërmjet dy vendeve tona”, tha më pas Hysi. Përsa i përket pyetjes së deputetëve në lidhje me shfrytëzimin e ujërave nëntokësore, Hysi deklaroi se këto çështje zgjidhen mbi bazën e marrëveshje ndërkombëtare. “Për momentin nuk ka asnjë lloj kompanie që shfrytëzon detin territorial, qoftë nga njëra anë, qoftë nga ana tjetër. Këto janë parime të përgjithshme. Nëse fillon shfrytëzimi, vetë konventa e parashikon mënyrën se si bëhen kompensimet. Nëse shfrytëzimi i pasurisë nëntokësore bëhet në territorin e një vendi, por burimin kjo pasuri e ka në territorin e vendit tjetër, atëherë duhet se para se të shfrytëzohet kjo pasuri duhet një miratim paraprak, ose një licencë nga vendi tjetër. Parashikimi i kompensimit bëhet pikërisht në bazë të këtij parimi”, tha Hysi. Gjithsesi konventa kur është krijuar, megjithëse ka Gjykatë për të Drejtën e Detit, ka dhe autoritetin e fundit të detit, që është një komision pranë OKB-së, që përcakton mënyrën si funksionon shfrytëzimi i pasurive detare dhe nëntokësore. Marrëveshja me Greqinë është parashikuar të votohet në seancën parlamentare më 19 tetor. Në nenin 7 të kësaj marrëveshje, të firmosur mes Bashës dhe Bakojanisit, instrumentet e ratifikimit do të shkëmbehen në Athinë dhe ajo hyn në fuqi pikërisht kur realizohet një gjë e tillë. Kjo marrëveshje është kontestuar nga opozita, për shkak se ka një afrim të kufirit brenda territorit shqiptar.
Pikat e marrëveshjes
Kufiri detar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë do të caktohet në përputhje me parimin e baraslargësisë.
Në mënyrë më specifike, vetëdija e delimitimit do të jetë vija e mesme, çdo pikë e së cilës është e baraslarguar nga pikat më të afërta të vijës bazë (si kontinentale ashtu edhe ishullore), nga e cila matet gjerësia e ujërave territoriale detare”.
Palët marrin përsipër të zgjidhin, nëpërmjet rrugëve diplomatike, çdo mosmarrëveshje që mund të lindë në lidhje me interpretimin apo zbatimin e kësaj marrëveshje.
Nëse një mosmarrëveshje e tillë nuk zgjidhet brenda katër muajve, nga dita në të cilën një nga palët bën të ditur synimin e saj për të filluar procedurën e parashikuar në paragrafin e mësipërm, ajo do t’i dërgohet me kërkesën e secilës prej palëve, Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ose ndonjë organi tjetër ndërkombëtar