E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Vizita e Bajdenit në Kosovë rikonfirmon mbështetjen e SHBA-ve”



Kryeministri Berisha ka vlerësuar dje vizitën e zëvendëspresidentit Bajden në rajon si një rikonfirmim të mbështetjes së vyer të presidentit Obama dhe administratës së tij. “Sot, zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xho Bajden, miku i madh i kombit shqiptar dhe lirisë së tij, zhvillon një vizitë historike në Kosovën e pavarur. Kjo përbën një ngjarje të madhe kulmore në marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përbën një mbështetje të fuqishme për Kosovën në përpjekjet e saj për ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit të demokracisë të bazuar në vlerat e tregut dhe për kontributin e saj si një faktor themeltar për paqen dhe stabilitetin në Rajon”, - është shprehur zëdhënësja e kryeministrit, Juela Meçani. Sipas saj, kryeministri Berisha vlerëson se turi i zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotit Xho Bajden në vendet e rajonit, është një ngjarje e madhe si për ato vende që zëvendëspresidenti Bajden vizitoi, por edhe për mbarë vendet e rajonit, është një rikonfirmim i ndihmës dhe mbështetjes së vyer të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotit Barak Obama dhe administratës së tij. “Kjo vizitë është një mbështetje dhe inkurajim i fuqishëm për të gjithë popujt e rajonit për të shkruar një kapitull të ri bashkëpunimi dhe miqësie të historisë së tyre europiane dhe euroatlantike”, - deklaron Meçani.

22 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›