E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përjashtuarve të PD-së u premtohen poste në administratë



Eljona Ballhysa
Lidershipi i Partisë Demokratike ka lënë jashtë listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit 17 anëtarë të Grupit Parlamentar. Disa prej tyre kanë reaguar kundër vendimit të kryesisë së vogël të PD-së, ndërsa të tjerët kanë vendosur të jenë qëndrestarë, duke mos dhënë komente për përjashtimin nga lista. Një prej deputetëve të përjashtuar nga lista është dhe Pal Dajçi. Ai shprehet për gazetën “Albania” se është një ndër themeluesit e PD-së dhe se do të vazhdojë të mbetet demokrat, pavarësisht përfshirjes ose jo në listë. Dajçi gjithashtu e cilëson listën e re të PD-së, listën e fitores. Ndërkaq, burimet bëjnë të ditur se një pjesë e deputetëve që nuk janë përfshirë në lista, lidershipi i selisë blu u ka premtuar poste në administratën shtetërore ose në pushtetin vendor në rast fitoreje të një mandati të dytë qeverisës. Sipas burimeve, pikërisht kjo është arsye pse një pjesë e mirë e deputetëve kanë vendosur të heshtin dhe të mos komentojnë përjashtimin e tyre nga lista. Deputetët aktualë ka pranuar që si kompensim të marrin një post të mirë në rast fitoreje të PD-së në zgjedhjet e 28 qershorit.
Postet
Në listën e re të PD-së janë përfshirë një numër të konsiderueshëm këshilltarët, ekspertësh, zëvendësministrash, drejtues të administratës, të institucioneve të rëndësishme apo dhe drejtues të pushtetit vendor. Këta persona, në bazë të Kushtetutës, janë të detyruar të japin dorëheqjen përpara zgjedhjeve të 28 qershorit. Në rast të një fitoreje të dytë të PD-së, në të gjitha këto pozicione që mbeten bosh pritet të emërohen pikërisht disa prej deputetëve që nuk janë përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë. Në bazë të Nenit 69 të Kushtetutës, i cili përcakton qartë se nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë pa hequr dorë nga detyra; gjyqtarët, prokurorët, ushtarakët e shërbimit aktiv, punonjësit e Policisë dhe sigurimit kombëtar, përfaqësuesit diplomatikë, kryetarët e bashkive apo komunave, prefektët në vendet ku kryejnë detyrat e tyre, kryetarët dhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Presidenti i Republikës dhe funksionarët e lartë të administratës shtetërore të parashikuar nga ligji.
Largimet
Në listën aktuale të PD-së është përfshirë kryetarja e KKRT-së, Mesila Doda, e cila vetëm dy ditë më parë ka dhënë dorëheqjen nga posti i saj. Pritet që posti i kryetarit të KKRT-së të plotësohet pas zgjedhjeve me krijimin e Parlamentit të ri, që do të votojë për kryetari e ri të këtij institucioni. Në listë gjithashtu është përfshirë drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Gjergji Bojaxhi, i cili pritet të japë dorëheqjen nga ky post duke lënë një tjetër post të rëndësishëm vakant. Në listat e Partisë Demokratike janë 5 kandidatë që mbajnë postin e prefektit, si Spiro Ksera në Gjirokastër, Elfrida Zefi në Korçë, Elsa Gjini në Vlorë, Thoma Rumnici në Berat dhe Daut Sulaj në Lushnjë. Këta drejtues pritet të japin dorëheqjen dhe postet e tyre do t’u jepen si kompensim personave që nuk janë përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë. Në rast të një mandati të dytë qeverisës të PD-së, përveç posteve të lartpërmendura ekzistojnë dhe postet e zëvendësministrave që janë të lakmueshëm, ose postet e drejtorëve të Përgjithshëm në institucione të rëndësishme shtetërore.

22 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›