E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosh: “Listat e kandidatëve mund të ishin më transparente”



Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, është shprehur dje se partitë politike i kishin të gjitha mundësitë që t’i bënin transparente listat e kandidatëve për deputetë. Sipas tij, OSBE-ja është duke monitoruar çdo hap që hedhin partitë në kuadër të zhvillimit të procesit zgjedhor. Bosh shprehet se listat e kandidatëve për deputetë duhej të ishin më transparente. “Përsa u përket listave, mendoj se deri diku ishin transparente, por mund të bëhej edhe më shumë në këtë drejtim”, - është shprehur Bosh. Ai e ka cilësuar shumë të rëndësishme për ecurinë e procesit integrues të Shqipërisë në BE mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në përputhje me standardet ndërkombëtare. “Standardet kanë shumë rëndësi, pasi keni aplikuar për t’u bërë pjesë në Bashkimin Europian. Ne kërkojmë që këto zgjedhje të jenë të pakontestueshme. Shpresoj që procesi të shkojë mirë. Por, një nga masat paraprake për ecurinë e tij është pajisja e qytetarëve me letërnjoftime”, - është shprehur Bosh.

22 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›