E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas protestës, Ministria e Punës nis negociatat për zgjidhjen e kërkesave



Ministria e Punës, institucioni përgjegjës për të verbrit, ka reaguar menjëherë pas protestës së tyre, duke bërë të ditur se kanë nisur negociatat për zgjidhjen e kërkesave. Zëdhënësja për shtyp e dikasterit të Punës, Alma Lahe, ka deklaruar se kanë filluar negocimet me strukturat përgjegjëse dhe se pagesa e tyre mujore shumë shpejt do të rritet. Ndërsa për sa u përket politikave të strehimit, sipas Ministrisë së Punës, ato janë zbatuar. Por Shoqata e të Verbërve, edhe pas reagimit të Ministrisë së Punës, ka konfirmuar se nuk do të tërhiqet nga veprimet e paralajmëruara civile përpara institucioneve përgjegjëse derisa të arrihet zgjidhja e të gjitha kërkesave të tyre. Në njoftimin e saj zyrtar, Ministria e Punës ka sqaruar me hollësi të gjitha kërkesat e parashtruara për plotësim nga të verbrit, ndërkohë që asnjë rresht nuk ka pasur qoftë edhe një fjali për incidentin e ndodhur.
Pagesa
Dikasteri i Punës shpjegon se në vazhdimësi, përfaqësuesit e Shoqatës janë sqaruar që pretendimi i ngritur prej tyre, se vendimi i vitit 2008 ka ndryshuar mënyrën e llogaritjes së pagesës së paaftësisë, nuk është i saktë, pasi ky ndryshim është bërë që në vitin 2002, me VKM-në nr. 301 dhe lidhej me strategjinë e pagave të miratuar nga qeveria, strategji e cila parashikonte shkëputjen e të gjitha përfitimeve që lidheshin me pagën dhe rritjen e pagës lidhur vetëm me produktivitetin e punës. “Me qëllim që mos të cenoheshin të drejtat e përfituara, masa e përfitimit të verbërisë u përcaktua 6 mijë lekë në muaj, që përkonte saktësisht me rritjen e pagës minimale për atë vit”, - shkruhet në njoftim. Aktualisht, 10 mijë të verbrit në vend përfitojnë 8 700 lekë në muaj. Kjo pagesë pritet që të shkojë në 9 800 lekë në muaj, pasi Ministria e Punës bën të ditur se kanë filluar procedurat në Ministrinë e Drejtësisë dhe në Ministrisë e Financave për të realizuar rritjen e saj me 1100 lekë më shumë. Po ashtu, pretendimi i Shoqatës se është shkelur Neni 5 i Ligjit nr. 8098, datë 28.03.1996, sipas Ministrisë së Punës, nuk qëndron, pasi ky ligj përcakton se të verbrit marrin një pagesë shtesë për shkak të verbërisë në masën e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave. “Pra, ligji nuk e lidh pagesën me pagën minimale, por e lë në kompetencë të Këshillit të Ministrave përcaktimin e nivelit të saj. Kjo referencë ligjore është përfshirë dhe zbatuar në VKM-në nr.301, datë 27.06.2002 dhe më pas në VKM-në nr.870, datë 18.06.2008, ku përcaktohet masa e pagesës për shkak të verbërisë”, - sqaron zëdhënësja Lahe.
Strehimi
Ndërsa përsa i përket çështjes së strehimit, dikasteri i Punës ka shpjeguar se në njërin prej programeve sociale të strehimit, dhe pikërisht në atë të banesave me qira, është parashikuar që për këtë kategori të zbatohet një bonus qiraje më i lartë, deri në 75%, kundrejt 50% që aplikohet për familjet që nuk kanë mundësi të përballojnë qiranë sociale, duke i njohur njëkohësisht edhe dhënien e një dhome plus me sipërfaqe 12.5-14 m2 mbi sipërfaqen normative të banimit. Sipas procedurave të reja ligjore, planifikimi i fondeve nuk bëhet sipas kategorive specifike, por sipas projekteve. Kategoritë prioritare përcaktohen nga bashkitë respektive, sipas sistemit të pikëzimit që miratohet me vendim të këshillave bashkiakë. Deklarata e Ministrisë së Punës është mbyllur me sqarimin për përjashtimin e të verbërve nga disa taksa kombëtare direkte, që po sipas kësaj Ministrie, Ligji nr. 9975 datë 28.7.2008, Neni 9, sanksionon përjashtimin e personave të verbër nga taksa e qarkullimit rrugor dhe nga taksa e mjedisit, për komponentin e taksës së importimit të mjeteve të përdorura.

22 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›