“Lufta” midis të verbërve dhe qeverisë nisi që në prill
“Lufta”, që në protestën e fundit mori ngjyrat reale, midis të verbërve dhe qeverisë, ka nisur që në ditët e para të muajit prill, kur përfaqësues të Shoqatës paralajmëruan nisjen e një blloku protestash. Megjithëse paralajmërimet e tyre ranë në vesh të shurdhët, pasi asnjë nga institucionet përgjegjëse nuk u ktheu një përgjigje, sërish të verbrit vijuan të vepronin. Madje afati i fundit që ata i lanë qeverisë për të reaguar ishte data 30 prill, ditë në të cilën përsëri askush nga qeveritarët nuk denjoi t’u përgjigjej, qoftë edhe formalisht. Situata e krijuar bëri që kjo kategori e shoqërisë të rebelohej çdo ditë e më shumë nga indiferenca e shtetit, duke ndërmarrë edhe vendimin që të bllokohet dera e Kryeministrisë.
Shoqata, kallëzim penal për dy ish-ministrat e Punës
Shoqata e të Verbërve do të bëjë kallëzim penal në prokurori me motivacion shkelje e detyrës dhe e të drejtave të njeriut për dy ish-ministrat e Punës, Kosta Barka dhe Anastas Duro. Vendimi i marrë pak ditë më parë nga Shoqata e të Verbërve është bërë i ditur nga vetë kreu i saj, Sinan Tafaj. “Detyrimet kanë filluar të mos përmbushen që nga viti 2005. Pra nuk është bërë indeksimi i pagesës së verbërisë pas vendimit përkatës për të verbrit në vitin 2005, është bërë në mënyrë të gabuar në vitin 2006, ka vazhduar të mos bëhet në vitin 2008, vazhdon edhe sot e kësaj dite të mos zbatohet një vendim i paligjshëm për pjesën që vjen në dobinë tonë. Pra bëhet fjalë për ish-ministrat Barka dhe Duro. Do të bëjmë kallëzim penal në organin e Prokurorisë”, - deklaroi Tafaj.
Kërkesat e të verbërve
Pajisjen me fletë të veçanta votimi në zgjedhje
Marrjen e shtesës mbi pagën e verbërisë
Rritjen e pagesës mujore të verbërisë
Përjashtimin nga disa taksa kombëtare direkt
Përfitimin nga programet sociale të strehimit
22 Maj 2009