E Diel, 1 Nëntor 2026

Kandidati Zaganjori zbulon dështimin e Ramës

02-06-2012 / Gazeta 55

Edi Rama është zënë në kurth me kursin e tij të zgjedhjes së domosdoshme të një presidenti jo nga politika. Një kandidat me kredenciale të paqortueshme si Xhezair Zaganjori e ka nxjerrë atë në dritë të vërtetë, duke e zbuluar si një faktor politik, i cili s’e ka hallin te zgjedhja e presidentit, por te moszgjedhja e tij, te zgjatja e ngërçit, si e vetmja mundësi që do t’i delegonte atij pushtet në tavolinë


Selia rozë vazhdon të mbetet peng i dështimeve personale të Edi Ramës, duke mos e ndërprerë segmentin anti-integrim që dominon sjelljen politike të partisë kryesore në opozitë. Dështimeve personale të Edi Ramës i shtohet së fundmi edhe kurthi në të cilin futi veten, kursin e tij, të trumbetuar me shumë zhurmë, të zgjedhjes së domosdoshme të një presidenti jo nga politika. Nuk është dashur shumë, veç një kandidat me kredenciale të paqortueshme si Xhezair Zaganjori, kandidaturë e cila e ka nxjerrë Edi Ramën në dritë të vërtetë, duke e zbuluar si një faktor politik, i cili s’e ka hallin te zgjedhja e presidentit, por te moszgjedhja e tij, te zgjatja e ngërçit, si e vetmja mundësi që do t’i delegonte atij pushtet në tavolinë.


Në këtë kontekst, në një deklaratë për shtyp pas takimit mes kryesocialistit Edi Rama dhe kandidatit të mazhorancës, Xhezair Zaganjori, PS-ja thekson se emri i kreut të ri të shtetit duhet të dalë nga një proces dialogu konkret mes qeverisë e opozitës dhe konsultimesh intensive mes palëve parlamentare dhe jo anasjelltas, duke nënkuptuar kështu një takim mes Ramës dhe Berishës si rrugëzgjidhjen e vetme të këtij “ngërçi presidencial”. Sipas PS-së, kjo vlen konkretisht qoftë për kandidaturën e Xhezair Zaganjorit, qoftë për çdo kandidaturë që do të paraqitej apo paraqitet nga qeveria nëse mungojnë dialogu konkret dhe konsultimet e domosdoshme për gjetjen e një kandidati apo kandidateje të dakordësuar mes qeverisë e opozitës. Sipas selisë rozë, Rama i ka deklaruar Zaganjori se Partia Socialiste vazhdon të kërkojë një proces deri këtu të munguar, ku të gjitha palët parlamentare të përfshihen në një dialog konstruktiv. Më tej, në deklaratë, thuhet se kryetari Edi Rama dhe Partia Socialiste mbeten plotësisht të angazhuar për një proces politik dobiprurës, në funksion të kalimit të provës shumëplanëshe ku e ka vënë Shqipërinë dhe politikën shqiptare si e tërë zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës. “Kohë për të humbur si deri më sot nuk ka dhe konsultimet duhet të nisin menjëherë, në një tryezë dialogu konkret të nivelit më të lartë mes palëve për t`i dhënë një shans real raundit të dytë dhe vetë Shqipërisë. Vetëm kështu mund të ndërtohet konsensusi i domosdoshëm që do të zgjidhte pozitivisht njërën nga katër pikat kyçe të paketës për të synuar statusin e vendit kandidat në BE, atë të zgjedhjes së Presidentit të ri, si edhe do të krijohej hapësira e nevojshme kohore për të ecur shpejt drejt zgjidhjes konsensuale të tre pikave të tjera”, thuhet më tej, në deklaratën për shtyp të PS. Prej disa javësh, kryesocialisti e ka shantazhuar procesin me “veton politike” të PS-së në Parlament, ndërsa rrugëzgjidhja e vetme parashihet prej Edi Ramës, një kafe mes kreut të PS-së dhe liderit të mazhorancës. Nga këtu kuptohet qartë se ku është shqetësimi i Edi Ramës, i cili për sa kohë nuk propozon emra, thjesht e vetëm kërkon të bëhet barrë e procesit dhe të gjejë një alibi pas raundit të katërt ose të pestë, për të mos njohur Presidentin e ri dhe rinisur bojkotin e Kuvendit, gjë që, do mbante peng reformat e integrimit dhe do zgjaste në ekstrem statusin e vendit kandidat në BE.


Kjo pa dyshim që do të prodhonte konfliktualitet politik me investimin e drejtpërdrejtë të opozitës, por njëherazi do ishte një kambanë alarmi për kastën drejtuese të ngrehinës socialiste.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›