E Diel, 1 Nëntor 2026

Fatos Nano, presion të hapur PS-së: Më kandidoni brenda 24 orësh, ndryshe do të nis një lëvizje brenda së majtës

Share

Fatos Nano ka zyrtarizuar presionin ndaj PS-së ditën e sotme, duke kërkuar që të kandidohet nga PS brenda 24 orësh për president. Ndryshe, Nano thotë se do të nisë një lëvizje brenda së majtës. Shtabi i Nanos tha se rreth mesditës, në zyrën e tij ai ka zhvillur takime intensive me ish-deputetë, ish-drejtues qëndrorë dhe lokalë të PS, si edhe me drejtues e aktivistë të shoqërisë civile dhe të rinj e të reja.

Fatos Nano ka shpjeguar se vetëofrimi i tij më së shumti ka synuar të pikëtakohet me PS dhe kandidimi i tij të niset dhe mbështetet nga PS, edhe pse Fatos Nano ka qenë për 15 vjet kryetar i PS. Në këto takime është folur edhe për ngurimin e gjatë, të pakuptueshëm dhe të paarsyeshëm të Kryetarit të PS, Edi Rama, për ta mbështetur politikisht dhe me firma kandidimin e Fatos Nanos për President, thuhet në deklaratën zyrtare të koordinatorit të fushatës së Nanos, Arian Galdini.

Ndër të tjera, ai tha se është diskutuar edhe për mundësinë e moskandidimit të Fatos Nanos për shkak të mosmbështetjes nga Edi Rama.

Në një rast të tille, nëse Edi Rama nuk e mbështet Fatos Nanon në kandidimin për President, atëherë në këto takime u përcaktua gatishmëria për fillimin e përgatitjeve për një lëvizje të re politike përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë ata që duan ti dalin për zot fateve të Shqipërisë dhe që e duan Shqipërinë Europiane, saktëson deklarata e zyrës së ish- kryeministrit Fatos Nano.

Në fund të takimit u caktua edhe një grup pune që do të koordinojë përgatitjet e kësaj lëvizjeje, e cila mund të fillojë që javën e ardhshme.

Një ditë më parë, ish kreu i PS u takua me kryetarin e grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, të cilit i ka shprehur qëndrimin e qartë se nëse nuk merr mbështetjen e PS si kandidat për President, ai do të nisë një lëvizje politike në PS për të çmontuar, sipas tij, parazitizmin korruptiv dhe dështues të Ramës si opozitar fals dhe për ribashkimin e së majtës me apo pa Metën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›